Refuzimi i socialistëve për hapjen e dosjeve mban mbyllur krimet e komunizmit

Refuzimi i socialistëve për hapjen e dosjeve mban mbyllur krimet e komunizmit

14:51, 21/10/2022

Socialistëve u pëlqen të luajnë me dosjet e komunizmit për aq kohë sa ato i shërbejnë pushtetit të tyre ndërsa kur vjen puna për të hetuar dhe dënuar realisht krimet e komunizmit, belbëzojnë nevojën për të mbrojtur viktimat, pra spiunët.

Nga Gjergj Erebara

Partia Socialiste u detyrua të enjten të pranojë se ajo është kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit dhe pro mbajtjes sekret të, praktiksisht të gjithë arkivës së kohës së Komunizmit ndërsa deputeti Pandeli Majko u detyrua të belbëzojë argumentin pas refuzimit të hapjes së dosjeve me nevojën për të mbrojtur spiunët, të cilët, sipas Majkos, mund të kenë qenë edhe vetë viktima të Sigurimit.

Majko nuk është as i pari dhe as i fundit që belbëzon këtë argument kundër hapjes së dosjeve. Edhe vetë Ilir Meta, personi që është shënjestra e lojës së pacipë të socialistëve me dosjet, dha të njëjtin argument por më të stërholluar. Sipas tij, fëmijët e Sigurimsave mund të shqetësohen po të mësojnë se prindi “ka bërë një gabim” kur ka qenë i ri.

Argumentet e Majkos dhe të Metës nuk janë të pavend. Normalisht që arkiva e Sigurimit nuk mbart të vërtetën kardinale dhe se pasja e emrit në një dosje të kësaj arkive nuk e bën dikë automatikisht kriminel apo spiun apo dhunues. Dhe ka arsye për të besuar se me të vërtetë shumë emra në dosje mund të rezultojnë bashkëpunëtorë pa bashkëpunuar dhe se nxjerrja e dokumenteve jashtë kontekstit me të vërtetë mund të shkaktojë dëm për ata pak prej shqiptarëve që kanë mbetur gjallë dhe që kanë lidhje me këtë histori tre dekada pas rënies së komunizmit. Por ama kjo nuk i jep përgjigje problemit tjetër: si mundet që të hetohen krimet e komunizmit nëse arkivat mbahen sekret? Dhe për më shumë, a mund të jemi të sigurt ne shqiptarët që nuk kemi qenë as spiunë dhe as të spiunuar se qeveria jonë nuk po e përdor informacionin ku ajo ka akses të privilegjuar për shantazhin e kundërshtarëve të vet?

Fakti është që krimet e komunizmit mbeten sot gjerësisht të pahetuara dhe të padënuara. Mbeten të pahetuara dhe padënuara nga pikëpamja historike dhe po ashtu edhe nga pikëpamja ligjore. Dhe, po, ne shqiptarët kemi shumë arsye të dyshojmë se qeveria jonë po përdor arkivat për të ruajtur pushtetin e vet përmes shantazhit. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri iu drejtua një prej pedagogëve protestues si “shikas”. Nga e di kryeministri nëse dikush ka qenë apo jo shikas dy dekada më parë? A po përdor ai aksesin në arkiva për të mbrojtur pushtetin e vet politik? Dhe nëse kryeministri e ka këtë akses, pse të tjerët të mos e kenë?

Argumenti i Majkos se të persekutuarit kanë qenë bashkëpunëtorë të komunizmit është në fakt, i neveritshëm. Është dëgjuar shpesh përgjatë tre dekadave të fundit si një mënyrë cinike për të justifikuar krimet e komunizmit me argumentin se të persekutuarit kanë persekutuar njëri-tjetrin, pra e kanë fajin vetë. Është gjithashtu një argument që duket se nuk bazohet në realitetin historik. Autori i këtyre radhëve ka parë disa raporte statistikore të Sigurimit të përfituara pas katër vjetësh beteje gjyqësore për akses dhe ka vërejtur se në fakt, rreth 5% rreth 14 mijë oficerëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit janë të shënuara në këto dokumente si me origjinë nga shtresa e të internuarve apo të burgosurve. Me një fjalë, nëse Majko ka me të vërtetë shqetësimin e të persekuruarve të kthyer në persekutues, le ta dijë se me këtë po mbron edhe 95% që nuk ishin të persekutuar por ishin thjeshtë persekutues.

Mbajtja mbyllur e dosjeve të komunizmit mban mbyllur derën për hetimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Asnjë argument nuk është i vlefshëm për të justifikuar mosdënimin e krimeve.

Argumentet kundër hapjes së dosjeve

Majko: Po flasim për fatet e njerëzve dhe jo për shalë kali. Ajo që kërkohet është që ne kemi të bëjmë me fate individësh, nuk po diskutojmë fatin e spiunëve, por të viktimave. Tani do të na vësh në pozitë të vështirë dhe do të thuash se maxhoranca nuk do hapjen e dosjeve. Nëse doni të dini opinionin tim, nuk e kanë mbajtur spiunët regjimin komunist, jo miq, e kanë mbajtur disa të tjerë.  Ju lutem kuptojeni se ka edhe raste ekstreme që janë bërë spiunë njerëz që kanë qenë të përndjekur apo njerëz që kanë firmosur nën presion. 19 nëntor 2022

Meta: Autoriteti i manipulimit dhe kriminalizimit te dosjeve ka nje përgjegjesi të madhe se për nevoja personale të Ramës shkatërron përfundimisht besimin e tij në publik e krijon shqetësime te shumë njerëz që në të kaluarën kanë bërë një gabim e janë prekur e tani mund t’u dalin emrat që kanë fëmijë, kanë krijuar familje e ky është përgjegjësi e Autoritetit të Dosjeve. 27 korrik 2022./reporter.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco