Berisha: Së shpejti data e protestave! Jam për bashkim të plotë të PD-së

Berisha: Së shpejti data e protestave! Jam për bashkim të plotë të PD-së

12:59, 21/10/2022

Kryetari demokrat, Sali Berisha tha se shumë shpejt do përcaktohet data e nisjes së protestave.

“Po shkojmë drejt përcaktimit të ditës së nisjes së protestave. Ky përcaktim do jetë shumë i afërt dhe do ua komunikojmë. Sot situata po bëhet shumë e padurueshme. Gjendja ekonomike përkeqësohet me shpejtësi.

Vjedhjet dhe mashtrimet e qeverisë bëhen të pakufishme. Biznesi dhe shtresa e mesme, pas zhytjes në mjerim të shtresës së varfër, janë kurbanët e radhës dhe kërkojnë mbrojtje,” tha Berisha.

Sipas tij, negociatat për bashkimin e PD po vazhdojnë pozitivisht.

“Unë jam për një bashkim të plotë të PD-së. Ky grup i ka të hapura dyert, si për bashkim të plotë, si për fraksion. Ne kemi një nen, nenin që i lejon fraksionet. Nëse ky grup vendos të krijojë fraksion, nuk më merr leje mua, e ka statuti, e ka votuar kuvendi i PD. E them këtë për të qartësuar se rrugët janë plotësisht të hapura. Ka mendime të hapura se çfarë do zgjedhin dhe si do zgjedhin,” tha Berisha.

I pyetur për votimin e mbrëmshëm të disa deputetëve të PD, Berisha tha se ata gabuan.

“Unë mendoj se deputetët që votuan, kanë bërë një gabim sepse deputetët që votuan, përpara duhet të njiheshin me tekstin e ligjit që është dorëzuar në parlament. Gjykoj se ky tekst përbënte bazën më serioze, më të domosdoshme dhe më të mbështetur nga shoqëria shqiptare, më të konsultuar me të përndjekurit politikë. Ideja se u hapën për herë të parë dosjet është një mashtrim fund e krye. Me ligjin e vitit 2008, dosjet kanë qenë të hapura pa kufizim për çdo individ,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco