FAKTE+VIDEO/ Roli i Ramës si avokati më i madh i Tahirit dhe trafikut të drogës

FAKTE+VIDEO/ Roli i Ramës si avokati më i madh i Tahirit dhe trafikut të drogës

19:49, 04/02/2022

Gjithçka nisi në shtatorin e vitit 2015. Ish-shefi i antidrogës së qarkut Vlorë Dritan Aganit, do akuzonte me emër dhe mbiemër Saimir Tahirin, në atë kohë ministër i brendshëm, për lidhje direkte me trafikun e kanabisit të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Këta të fundit kishin dhe një lidhje farefisnore me ministrin.

Sipas Zaganit, makina tip 'Audi' me targa AA 003 GB, përdorej rregullisht nga grupi i Habilajve për transport droge jashtë kufijve, pasi makina ishte në emër të Ministrit. 

Në verën e vitit 2014, kur autoritetet italiane kishin konstatuar kulmin e aktivitetit kriminal të klanit narko-trafikant “Habilaj”, në përgjimet e Prokurorisë së Katanias (e cila kishte nën vëzhgim këtë grup prej një viti), gjendet e regjistruar edhe një bisedë e datës 10 Korrik 2014. Përgjimi provonte se kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj ka shoqëruar gjatë një udhëtimi në Itali shtetasit Bashkim Tahiri dhe Fatlinda Tahiri, përkatësisht babai dhe bashkëshortja e Saimir Tahirit. 

Skandali hidhte hije dyshimesh për bashkëpunimin e ish-ministrit me grupin e Habilajve, Artan e Moisi Habilajn, sidomos gjatë vitit 2014, kur klani Habilaj ka trafikuar, me ndihmën e zyrtarëve policorë, tonelata kanavis sattiva drejt Italisë. 

Të gjitha këto akuza, policia nuk i hetoi asnjëherë. Natyrisht, Saimir Tahiri dhe Edi Rama ishin në zenit. Sapo kishin fituar pushtetin dhe objektivi me sa duket ishte i qartë. Atë vit, u krye dhe një sulm ndaj Lazaratit ku mbeti i vrarë dhe një efektiv i forcave speciale. Goditja e Lazaratit u shit si një sukses para ndërkombëtarëve, të cilët mbyllën sytë më pas për kanabizimin e të gjithë vendit sidomos përgjatë viteve 2016-2017. 

Për dy vite të tjera, pas denoncimit, familja Habilaj vazhdonte e pashqetësuar trafikun e drogës drejt Italisë. Madje në vitin 2014, prokuroria kishte nisur një hetim penal ndaj denoncuesit të aferës Dritan Zagani. Ish-shefi i antidrogës do dënohej në mungesë me 3 vite burg, nën akuzën e “largimit nga vetqëndrimi i detyruar”.  

Edi Rama nuk do vononte t'i dilte në mbrojtje Tahirit. Në një takim me efektivë të Policisë së shtetit,  vetëm dhjetë ditë pasi ishte bërë publike denoncimi i Zaganit, më 16 shtator të atij viti, Rama do të thërriste në pallatin e kongreseve efektivë policie dhe trupin diplomatik për të prezantuar arritjet e luftës kundër drogës. Përpara ambasadorit Amerikan Donald Lu, ai do shigjetonte ashpër Zaganin. “Një kriminel, një nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën ti identifikojë në radhët e veta, dhe t'i spastrojë nga radhët e veta. Një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës, që dekonspironte operacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës”. 

Vetë Tahiri, në një linjë me shefin e tij do akuzonte opozitën nga foltorja e Parlamentit dhe do i drejtohej ish-ministrit Flamur Noka. 

“Si ka mundësi që t'i bashkë me Saliun, Dritan Zaganit i dhatë tokë në Orikum në bregdet, keni blerë intervistën, dëshminë, nga zyrat e partisë, jepni llogari për këtë, i falët objekt në bregdet, për cilën arsye me, i falët objektin ish ekonomi ndihmëse, Orikum, pse e keni blerë këtë oficer policie që sot është i arratisur për dekonspirim dhe nuk paraqitet për hetim”.

 Pra me këtë arsyetim Sali Berisha kishte blerë oficerin e policisë që në vitin 2013-të për të denoncuar më pas ministrin e Ramës një apo dy vjet më vonë. 

Në fakt opozita nuk hynte askund këtu, por Rama enkas tentoi t'i jepte një tis të tillë. Pas pastrimit që i bëri ministrit të tij, për dy vite rresht kur tonelatat e drogës kalonin nga Shqipëria drejt Europës, ai nuk do rrreshte se etiketuari ministrin e tij si “Kampionin e luftës kundër drogës” megjithëse në Katania ishte hapur një çështje penale pikërisht për Saimir Tahirin dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Madje dhe në ditën kur e shkarkoi, pak para zgjedhjeve të vitit 2017 ai sërish do e cilësonte atë si “kampionin e qeverisë së tij”. 

Pas 11 muajsh hetime, Tahiri do të akuzohej nga Prokuroria tre vepra të rënda penale: "Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.”Me 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij, prokuroria kërkonte si të pandehur jo vetëm ish-ministrin, por së bashku me të edhe Jaleld Celën (për favorizim të trafikut të drogës për Habilajt), Sokol Boden, asokohe drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë. 

Zgjedhjet përfunduan dhe më 19 tetor të vitit 2017, Prokuroria do të dorëzonte në kuvend kërkesën për heqjen e imunetit të Sajmir Tahirit, ndërsa më 25 tetor kërkoi arrestimin e tij dhe kontroll banese për ish ministrin. Kërkesa e tij u refuzua nga mazhoranca e majtë. Vetë Tahiri, do dërgonte një mesazh të koduar për kryeministrin në paraditen e 25 tetorit kur tha se “S’keni parë asgjë akoma” një shprehje që Rama ia adresonte në atë kohë opozitës. Dalja e tij televizive u prit me jo pak interes atë mbrëmje, por Tahiri nuk tha asgjë. U shfaq thuajse i përlotur. Se çfarë kish ndodhur përgjatë atyre orëve nuk u morr vesh kurrë. 

Më tej kalvari deri ditën e sotme kur Sajmir Tahiri do të provojë hekurat e drejtësisë dihet. 

Roli i Ramës në këtë histori, mund të jetë disi i paqartë, por përgjegjësia është aq sa e ish ministrit të tij, ndoshta më e madhe. Në rast se vetë Tahiri kishte bashkëpunëtorë Habilajt, Rama kishte Tahirin që nuk linte rast pa e mbrojtur dhe promovuar. Në rastin më të mirë kjo quhet “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”, të dyja vepra të rënda penale. 

Pastaj, si ka mundësi që në një skandal të tillë të trafikut të drogës, mbyllën sytë shefi i qeverisë, drejtësia, por dhe ndërkombëtarët. A do ishte hapur ndonjëherë kjo çështje në rast se nuk do kishte vepruar Prokuroria e Katanias?. Po të kemi parasysh gjithë qeverisjen e Ramës me gjasa jo. Habilajt do vazhdonin të ishin të lirë, dhe të pashqetësuar në trafikun e drogës dhe sështë çudi që Tahiri do vazhdonte të ishte kampion i luftës kundër korrupsionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco