VIDEO/ SPAK i keq, SPAK i mirë/ Dy fytyrat e Lulzim Bashës!

VIDEO/ SPAK i keq, SPAK i mirë/ Dy fytyrat e Lulzim Bashës!

09:34, 22/10/2021

Lulzim Basha ka dorëzuar këto ditë në Kuvend, amendamentin kushtetues, sipas të cilit vetingun e politikanëve duhet që ta bëjë SPAK. Edi Rama hesht dhe lë për të nënkuptuar, se është dakord.

Po nga doli kaq papritur gjithë ky besim i Partisë Demokratike për një institucion të drejtësisë, të cilin deri dje e ka akuzuar si të kapur nga Rama; si selektiv dhe që fle gjumë mbi dhjetëra denoncimet e opozitës për korrupsion, të bëra edhe ndajë vetë Edi Ramës dhe ministrave të tij?

Le të shohim përmbledhtazi qëndrimet e shkuara të PD-së ndaj SPAK, në lidhje me punën e kësaj strukture kundër korrupsionit të politikanëve dhe qeveritarëve në pushtet.
SPAK pushoi hetimet për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, me pretendimin se nuk ekziston fakti penal. Menjëherë pas kësaj PD lëshoi akuza zyrtare se SPAK i zvarriti qëllimisht hetimit deri sa e mbylli çështjen.

Disa  muaj pas kallëzimit në SPAK për shembjen e Teatrit, PD kërkoi informacion nga SPAK për ecurinë e hetimeve. Sipas PD-së së Bashës në atë kohë,  Rama-Veliaj, kanë kryer 9 vepra penale për interesa korruptive.

As sot e kësaj dite SPAK nuk po lëviz për këtë çështje sensitive dhe PD, nuk ka marrë ende përgjigje për ecurinë e dosjes.

Gjithashtu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Tetarin, PD deklaroi se  SPAK tani i ka duart e lira që të vendosë nën arrest përgjegjësit dhe se (gjithmonë  sipas PD-së), lufta kundër korrupsionit të lartë nga ana e SPAK, po bëhet vetëm me pikatore.

Por duket se as sot SPAK nuk është çliruar nga litari që i lidh duart, kur del në skenë Edi Rama dhe shpura e tij. 

PD akuzoi SPAK se për më shumë se një vit ka zvarritur denoncimin për inceneratorët duke kërkuar informacion, se çfarë është bërë më këtë dosje, por ende nuk e ka marrë përgjigje.

Në shkurt të vitit 2020: Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dorëzoi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kallëzimin penal edhe për koncesionin e check up-it.

Duke e konsideruar atë si një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama, u dërgua në SPAK dosja me 7 akuza ( Nga shpërdorimi i detyrës, deri tek përfitimi i paligjshëm) për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ministren aktuale të Shëndetësisë Ogerta Manstirliu, Altin Fanin, Vilma Nushin, etj.

A ka informacion Lulzim Basha sot që është bërë bashkëpunues me Rilindjen, nëse ka ndonjë zhvillim në SPAK për këtë koncesion të pashembullt korruptiv?

Partia Demokratike ka bërë gjithashtu dhjetëra denoncime për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 prillit, por SPAK as gishtin e vogël nuk ka lëvizur ende në këtë drejtim.

Pak ditë përpara 25 prillit Partia Demokratike denoncoi publikisht  Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, se po hesht për të hetuar krimet zgjedhore që PD ka denoncuar.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, Belind Këlliçi, tha se SPAK ka në dorë provat e një operacioni kriminal por nuk vepron. 

Partia Demokratike e Lulzim Bashës në atë kohë, e ka pyetur publikisht SPAK: Pse nuk heton krimin zgjedhor të Benet Becit në Shkodër?

Në 16 prill, PD-ja e paditi në SPAK Benet Becin,  drejtorin e KESH-it dhe kandidatin për deputet të PS-së në Qarkun e Shkodrës, se ka blerë votat me 100 euro.

Gjithashtu Partia Demokratik denoncoi në SPAK vjedhjen e votës në njësinë nr. 4 në kryeqytet, ku sipas selisë blu, janë blerë vota përmes parave, shantazhit apo dhe kërcënimit të votuesve.

Me këtë rast po Enkelejd Alibeaj, teksa publikonte kallëzimet, deklaroi se ky institucion jo vetëm nuk e hetoi, por edhe e lejoi deformimin e votës nga grupet kriminale.

Çfarë ka ndryshuar sot, që Alibej është kthyer në fans të madh të SPAK?!

Partia Demokratike ka paditur në SPAK personalisht edhe kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Sipas PD së asaj kohe, padisë bëhej për “kërcënimin dhe shantazhimin prej Edi Ramës ndaj të punësuarëve në arsim dhe shëndetësi përmes portaleve ‘Mësues për Shqipërinë’ dhe ‘Infermierë për Shqipërinë’.

Gjatë një bisede me Milva Ekonomin, Rama u shpreh se infermierët dhe mësuesit e mund ta mbrojnë vendin e punës, vetëm duke votuar PS . “Duhet ta mbrojnë pozicionin e tyre me votë. Në drejtim të paditur përfundon çdo gjë, edhe puna e tyre. Se e fillojnë prapë ata, se nuk dinë gjë tjetër”, citohet Rama në këtë padi të PD-së.

Për Partinë Demokratike, Edi Rama atëherë kishte konsumuar 4 vepra penale, për të cilat i kërkonte SPAK të hapë hetim: Shpërdorimi i detyrës; Korrupsion aktiv në zgjedhje; Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore; Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.

Ku është SPAK sot, po Edi Rama i padituri dhe Basha paditësi?!

Të tre palët, po bashkëpunojnë për ndryshimet kushtetuese. 

Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka kallëzuar në SPAK, edhe drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste dhe të qeverisë.

Në këtë kallëzim, i cili është firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi janë gjithsej 16 persona, duke nisur me kryeministrin Edi Rama dhe në radhë shumë ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë të rëndësishëm, (Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Belinda Ballukit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt etj), të cilët morën pjesë si “organizatë kriminale” për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Të gjithë u denoncuan për “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, por SPAK ende hesht.

Kurse Basha sot po kërkon që filmi të nis nga e para, me të njëjtin aktor që është SPAK dhe të njëjtin regjisor që është Edi Rama. 

Atë ditë që Lulzim Basha shpalli vettingun në politikë nëpërmjet duarve të SPAK, deklaroi për këtë të fundit se ka shpenzuar miliona taksa të shqiptarëve dhe ka 0 rezultat.

Se SPAK është shpenzimi më i madh i parave të shqiptarëve, se është SPAK qilim kuqi, për shkak të paradave që bën, por…me vettingun ndaj politikanëve po i japim edhe një shans!

Nuk besojmë, se ka nevojë për koment!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco