‘5-6 të vdekur dhe...’/ Banorët e Lezhës flasin për ‘Rrugën e vdekjes’: Asnjë masë nuk është marrë nga shteti

‘5-6 të vdekur dhe...’/ Banorët e Lezhës flasin për ‘Rrugën e vdekjes’: Asnjë masë nuk është marrë nga shteti

13:22, 23/03/2021

Kryqëzimi i Dajçit është një prej “njollave të zeza” në superstradën Lezhë-Shkodër. Bilanci i viktimave në dy vitet e fundit, së bashku me atë të mbrëmjes së të mërkurës që lamë pas, shkon në 5.

 Për të hyrë në fshatin Dajç automjetet që vijnë nga Lezha përmes superstradës duhet të kryejnë një manovër 60 gradë, që për automjetet e mëdha nuk mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme, duke u bërë shkak për aksidente të mundshme. Veç kthesës së fortë, drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Lezha drejt Shkodrës në këtë kryqëzim përballen dhe me mungesën e fushëpamjes.

“Këtu o do shohësh njërin krah, ose tjetrin s’e sheh hiç. Për të ardhur, për shembull, nga Lezha, për të ikur në Shkodër, vetëm kur të hipin sipër. Nuk është hera e parë, ja ku i ke, njëri ka vdekur këtu. Mund të jenë 5-6 vetë që kanë vdekur, plus të sakatuar dhe të lënduar. Ky shtet po nuk vuri dorë në këtë punë, do të ketë pasoja gjithmonë. Ka kohë që ky problem është evident dhe pavarësisht rrezikut që ka ky kryqëzim, asnjë masë nuk është marrë nga shteti. Është e pafalshme të qëndrohet në heshtje përballë aksidenteve të shumta që po ndodhin me pasoja në jetë njerëzish”, thotë Gac Shtjefni, banor i zonës.

Nënkalimi

Me pak investime nën urë mund të kalojnë mjete dhe fatalitetet do të shmangen. Nënkalimi është mbuluar nga balta dhe kalimi i automjeteve është i pamundur. “Është shumë i rrezikshëm ky kryqëzim, prej mungesës së sinjalistikës, të mbikalimeve dhe nënkalimeve. Dhe këndi 60 gradë që e bën të pamundur kthimin e makinës për të marrë rrugën dytësore për të ikur në fshat, mungesa e fushëpamjes. Me pak investime nën urë mund të kalonin mjete dhe fatalitetet do të ishin shmangur. I bëj thirrje shtetit që të ndërhyjë në këtë kryqëzim, i cili është më i rrezikshmi në superstradën LezhëShkodër, çka e dëshmon dhe numri i lartë i aksidenteve me pasoja në jetë njerëzish”, thotë Ndue Rroku, banor i zonës.

Ndriçimi

Mungesa e ndriçimit në këtë kryqëzim është një shkak tjetër, pasi aksidentet më të rënda kanë ndodhur natën. Viktima e fundit ishte historiani Eduard Grishaj nga Shkodra. Ai po udhëtonte me mjetin e tij të tipit “Benz” dhe u përplas me një kamion që po dilte nga superstrada në një rrugë dytësore për në fshatin Dajç. Mjeti i 55-vjeçarit u fut nën kamion. U desh ndihma e një fadrome për të lëvizur kamionin e për të nxjerrë pas 2 orësh trupin e pajetë të Grishajt. Ndërkohë problematika të ngjashme ka thuajse në të gjitha akset rrugore që përshkojnë qarkun e Lezhës, e këtë e dëshmon numri i lartë i aksidenteve. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, që nga fillimi i muajit janar e deri më tani janë regjistruar 9 aksidente me 8 persona të vdekur dhe 7 të plagosur. Shumica e këtyre aksidenteve ndodhin natën dhe viktima janë këmbësorë apo drejtues motoçikletash, ndërsa akset më problematike mbeten Lezhë-Shkodër dhe Lezhë-Fushë Krujë. Në të dy krahët e këtyre rrugëve, zona është e banuar, por mungojnë kushtet e sigurisë për këmbësorët, pasi nuk ka asnjë mbikalim dhe ndriçim. Në pika të caktuara të saj rruga ka kryqëzime të rrezikshme dhe ndërprerje nga rruga dytësore në dyja anët e superstradës.

Specialisti rrugor

Specialisti i sigurisë rrugore, Ernest Marku, thotë se këto akse kanë mangësi të mëdha në elementet e sigurisë. “Këto rrugë kanë dendësi të konsiderueshme, lëvizje e po ashtu mungojnë elementet e sigurisë, që kanë të bëjnë me ndriçimin, me mbikalimin e këmbësorëve, me korsitë e veçanta për drejtuesit e tjerë të motoçikletës. Është përmirësuar sinjalistika gjatë viteve të fundit, por kjo është e pamjaftueshme”, thotë Marku. Marku shprehet më tej se shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës mbetet shqetësim dhe burim aksidentesh.

“Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve është një shkak, sigurisht pakujdesia e këmbësoreve për të kaluar nga njeri krah i rrugës në tjetrin dhe mungesa e sinjalizuesve në mjetet e vogla janë shkaku kryesor. Problemi më i madh është tek edukimi me rregullat e qarkullimit rrugor për drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe këmbësoreve. Po të zbatohet Kodi Rrugor, në këto akse rrugore do të kemi më pak aksidente. Shpejtësia maksimale në këto rrugë nuk është më shumë se 100 km në orë, çka do të thotë se nëse do ta respektonin të gjithë këtë kriter, atëherë do të shmangej një numër i konsiderueshëm i aksidenteve”, shton specialisti i sigurisë rrugore, Ernest Marku./Panorama/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco