Nga Gurakuç Kuçi - 20:27, 28/06/2026
Shkruan: Gurakuç Kuçi
Serbia, e cila gjatë luftës në Kosovë (1998-1999) vrau 1,133 fëmijë shqiptarë dhe vrau po ashtu gjashtë të rinj serbë në rastin "Panda" në Pejë për t'ua faturuar shqiptarëve, edhe sot, në "festën" e Vidovdanit, po sakrifikon një fëmijë serb për të gënjyer kundër shqiptarëve.
Gjatë festimeve të sotme në Graçanicë dhe Gazimestan, serbët, të cilët kryesisht janë militantë të regjimit të Vuçiqit, zgjodhën përsëri të bëjnë provokime dhe të prishin rendin dhe ligjin. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e sigurisë të Kosovës nuk lejuan përdorimin e flamujve të Serbisë dhe Rusisë dhe këngëve që bëjnë thirrje për vrasje e gjenocid, me qëllim parandalimin e provokimeve dhe ruajtjen e rendit publik.
Madje, propaganda shtetërore e Serbisë kishte përgatitur edhe militantët se si të viktimizoheshin, duke përfshirë edhe fëmijë, e më pas të shpërndanin gënjeshtra.
Propaganda serbe, duke viktimizuar edhe fëmijët pa u brengosur fare për identitetin dhe moshën e tyre, sot pretendon se kinse një polic i Kosovës ka sulmuar një vajzë të vogël që ndodhej në duart e një personi.
Videoja tregon krejtësisht të kundërtën. Aty shihet se polici i Kosovës e mbron atë, por për dezinformuesit serbë as videoja nuk është e mjaftueshme, sepse makineria e tyre e baltës i ka këto lajme dhe ngjarje të përgatitura paraprakisht, duke e ditur saktësisht edhe kohën se kur duhet t'i publikojë dhe si duhet të reagojë.
Kjo lloj lufte hibride kundër Kosovës, e ndërtuar sipas modelit dezinformues rus, duhet të shërbejë si mësim që të rritet kontrolli ndaj propagandës dhe të forcohet bashkëpunimi me të gjitha mediat në Kosovë dhe më gjerë, duke përfshirë edhe ambasadat dhe rrjetet mediatike ndërkombëtare, të cilat mund të dëshmojnë të vërtetën dhe fytyrën destabilizuese të Serbisë.
Synimi i Serbisë me veprime të tilla është të mobilizojë masën kundër shqiptarëve, që ajo të jetë e përgatitur për krime të reja kur t'i jepet mundësia, ndërsa modeli i saj propagandistik është kopje e regjimeve më gjenocidale që kanë ekzistuar dhe që vazhdojnë të ekzistojnë në botë.
#Kosova #serbia #gazemistan #gracanica #vidovdan
© SYRI.net