Kafe/bari ku mund të vritesh!

Kafe/bari ku mund të vritesh!

Nga Dren Dushi - 06/08/2023

(Ky shkrim nuk i drejtohet asnjë individi, grupi apo vendi)

1. Elita e re e tranzicionit, që do t’ia kaloj të vjetrës

Ja ku jemi, në mes të Prishtinës, më të pasur se të gjithë ata që shesin mend me qytetrimin e këtij qyteti, më të fortë, nuk na bën asgjë as policia, as shteti, mbajmë armë, hapim shishe të shtrenjta si në spotet e reperëve që dëgjohen nga adoleshenca, por jo vetëm, rrahim këdo të na prish nderin tonë kalorsiak, shumë prej nesh jemi me gjoksa e krah të fryrë nga bidonët e proteinave dhe fitnesi, ku shkojmë për të parë e për tu parë, ato që shohin siç ne duam, mund të fitojnë një Range Rover, edhe të bardhë po deshën.

Kemi arritur shumë, sa shumë njerëz kemi gjithandej, sa shumë prokurorë, gjykatës, krerë të policisë, sa shumë biznese, sa shumë banesa, lokale, toka që privatizuam, tenderë të fituam, të mos flasim për vetura, sa shumë që kemi, e sa shumë që kemi blerë për femrat tona të bukura, të cilat na përcjellin, sidomos kur ju ofrojmë pushime të shtrenjëta. Dhe ja ku jemi, me qehre të rënda, hyjmë e dalim ku të duam, por edhe vendosim nëse mund të hyjë e dalë dikush, pranojmë bukuroshe, refuzojmë djem të rinjë që nuk kanë shumë para, nuk na duhen dështakët. Pranojmë fajdexhinjë, tenderxhinjë, privatizues, fëmijë ish-ministrash të fortë, ish-deputetësh të fortë, pronarë mediash shantazhuese e propaganduese, me kusht që të kenë para, të hapin ndonjë shishe të shtrenjtë, ndonjë koktel, disa kanë filluar edhe t’i shijojnë, në fillim e kishin të vështirë.

Sa shumë kemi evoluar, sepse jemi të fortë, jemi të vendosur, trima, me pak fjalë, nuk na ndalë asgjë, ne fluturojmë, ne ndiejmë atë që ndien çdo kush që mbush hundët, ne sundojmë, ne edhe vrasim po qe nevoja.

2. Snobët

Jemi vendi më i varfër në Evropë, por po na shikove në Prishtinë, mund të ndryshosh mendje. Teksa diaspora jonë shpreh revoltën e historikut të varfërisë sa kanë qenë në Kosovë përmes veturave luksoze, që shoqëria jonë i ka shndërruar në mjete martese, teksa sheh zingjirë ari që ndikon në rritje peshe trupore në qafat e nxira nga Velipoja e Durrësi, kupton se ku duan të dalin. Duan t’i tregojnë botës, se më nuk janë të varfër, sidomos brezi i dytë, i cili ka të ngjashme edhe me brezin e dytë të të pasuruarve në Kosovë.

Epo ja, jemi shoqëria më e varfër në Evropë, por të shprehësh varfërinë këtu, është turp, edhe po nuk pate, të paktën duhet ta posedosh një Iphone sa më të ri, bëja disi, kurse deri në therori, kërko nga vëllau apo motra në diasporë, merr kredi në bankat e akrabave të kryesive të partive politike, bëj si të bësh, duhet të dukesh i pasur, që të pranohesh këtu, në këtë ambient spoti të  këngëve që përmbajnë fjalë si; “kokaina, ferrari, milionera”, teksa dikush bën me duar, e dikush tjetër bënë me prapanicë.

Kështu duhet të bësh, të adoptohesh, të mbushësh rrjetet sociale me koktele e shishe, dhe të mos harrosh të vendosësh lokacionin, se gjendesh aty ku gjendet elita e Kosovës, që me një fjalë të punëson, me një natë të bën me veturë, me disa javë netë të bën mbase me një banesë, që ka një metër tretoar, që është me leje nga Kryetari i Komunës, kudo që kjo komunë mund të jetë.

Mirë se vini këtu midis nesh, aty ku filloi historia e re, liria ka emrin tonë, ne jemi të bekuar ta shijojmë këtë liri më shumë se ata që i kemi liruar. Le të durojnë, sepse i kemi duruar gjatë, me mendjemadhësinë e tyre, me parfumët që tashmë ne i kemi më të shpeshtë se gotat e çajit të zi, që ne i themi të rusit. Historia nuk mund të rishkruhet, ne nuk mund të njollosemi.

3. Nuk ka faj kafja

Jo, kafja nuk ka faj, përkundrazi, ka aromë të mirë. As ne nuk kemi faj, përse, a nuk do bënit edhe ju njësoj si ne, po të ishit në rrethanat tona? A do të vidhnit dhomën e dëshmive, po të kishit pasur mundësi, nëse ajo dhomë do të ju kishte inkriminuar, e treguar botës si  blemë arin 5 euro, e pastaj e shitëm te taksapaguesi, të cilin dorën në zemër e kemi çliruar, diku rreth 5-7 mijë, nuk e di, duhet pyetur deputeti bokser.

Asnjë faj nuk e kemi, jemi të rrezikshëm, por po të mos ishim, si do çlirohej Kosova? Jemi të pasur, mos vallë është faj të jesh i pasur? Mund të thoni se u pasuruam tepër shpejt, por a nuk e kuptoni se jeta është e shkurtër, duhet shijuar, duhet shpejtuar, duhet marrë vendime e veprime.

Na akuzoni se ju kemi marrë edhe bukuroshet, por a nuk është e drejtë e tyre të zgjedhin kë të duan, e ku të duan të shkojnë? Se mos prisni që bukuroshet do ndjekin dështakët, mjeranët, frikacakët? Jo, ato na ndjekin neve, sepse ne rrimë në kafenetë e elitave, aty ku nuk mund të hyjë gjethkushi, po vetëm i forti, i suksesshmi. Andaj mos fajsoni kafenë, nëse dikush vritet, duhet të shtrëngosh rripin kur do të vish e të shoqërohesh me ne, të fortit.

4. Kthim në vetëdije

Bëra këtë shkrim me ironi e sarkazmë, duke tentuar të hyj sado pak në mendësinë e një pjesë të shoqërisë, që bëri një keqkuptim të madh të vlerave të shoqërisë, që eci hapave të gabuar. Dua të shpreh edhe indinjatën për secilën jetë që humbet, nga mentaliteti i mbrapshtë, por edhe nga dekadenca, mos funksionimi i aparatit shtetror, sidomos pjesës së sigurisë, e cila u sfidua për shumë vite nga rrah-gjokësit e ndryshëm, të thirrur në vlera të ndryshme.

Dua të mos marrim më kurrë lajme të tilla, që në kafenetë e Prishtinës, Kosovës, aty ku vendi me rininë më të re në Evropë del e ikën nga realiteti bukur i zymtë i tranzicionit e izolimit të gjatë, të mos shndërrohet në arenë urrejtje, në skenë të filmave westersn.

Shoqëria e Kosovës ka shumë trauma, probleme sociale, psikologjike, edukative, të cilat duhen trajtuar në të ardhmen, para se të merremi çdo ditë, me gjeopolitikën globale, e cila nuk e pandeh fare vendin tonë të vogël, pjesërisht të dhunshëm, të mbetur pas, e që ka nevojë për shumë kujdes, dashuri, paqe e çlirim shumë-dimensional.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco