Ç'synon media shqipe, të raportojë për realitetin, apo ta regjisojë atë?

Ç'synon media shqipe, të raportojë për realitetin, apo ta regjisojë atë?

Nga Gëzim Mekuli - 05/08/2023

Mediat shqipe do të duhej të ishin një forum për mirëkuptim të dyanshëm. Gazetaria e tillë do të kuronte shoqërinë tonë të stërlodhur nga tensionet e panevojshme partiake. Ajo do të krijonte një ambient të dominuar nga një mirëkuptim i ndërsjelltë. 

Mund të kemi mendime të kundërta, madje duhet t’i kemi, por s’kemi nevojë ta shtyjmë njëri-tjetrin jashtë kufijve etikë – meqë atje, jashtë atyre kufijve, fitues s’ka!

Etika mediale nënkupton gjithashtu, që gazetarët dhe gazetaret, enkas sot, duhet të rrezatojnë kujdes e lojalitet ndaj njëri-tjetrit. 

Ashtu sikundër detyra e mjekut është që të parandalojë sëmundjen e rëndë e të shërojë të sëmurin, po ashtu gazetarët – dhe gazetaret! – e kanë obligim e përgjegjësi që të transmetojnë informacione objektive dhe të krijojnë një siguri të lartë besimi e mirëqënie informative në hapësirën ku ata veprojnë.

Si ekziston një etikë mjekësore, ashtu ekziston edhe një etikë gazetareske. Shmangiet nga kjo etikë, moszbatimi i ndërgjegjshëm i profesionit, në mjekësi shkaktojnë vdekjen e pacientit. Në rastin e mediave (gazetarëve), viktima e parë e lajthitjeve profesionale bëhet e vërteta; e, sikur na mëson historia, herët a vonë vjen koha të viktimizohet edhe vetë media – (gazetari).

𝐆𝐣𝐮𝐡𝐚 𝐞 𝐞𝐠𝐞̈𝐫 𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐧𝐬𝐩𝐨𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐝𝐡𝐞 𝐞 𝐥𝐚𝐧𝐜̧𝐮𝐚𝐫 𝐧𝐠𝐚 𝐝𝐢𝐬𝐚 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚, 𝐩𝐚𝐫𝐚 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐭 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐳𝐠𝐣𝐨𝐧 𝐜𝐚 𝐩𝐲𝐞𝐭𝐣𝐞 𝐞𝐧𝐢𝐠𝐦𝐞̈:

𝟏. Ç’synon media shqipe; të raportojë për realitetin, apo ta regjisojë atë?

𝟐. A është duke kontribuar media shqipe që të krijohen raporte të mira, shoqërore e miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje të ndryshme mbi veprimtarinë politike, opsione e mendime të ndryshme ndaj zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare? Dhe, ndoshta është koha të shtrohen edhe pyetje të tilla:

𝟑. A është kjo, apo ndoshta s’është fare, detyrë e gazetarit?

Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate: A është edhe gazetari banor i kësaj shoqërie, me përgjegjësi etike e morale për mirëqenien e saj, apo Ufo nga ndonjë planet tjetër, që na nderon me praninë e vet vetëm e vetëm për një shkak: për të bërë biznes?

Në shoqërinë tonë, përgjigjja në këtë pyetje sot duhet që anon kah nga kjo e dyta. E në Perëndim, roli vital shoqëror i gazetarëve spikatet në termin sociologjik për mediat: “pushteti i katërt”, pas qeverisë, gjyqësisë, dhe organeve përmbaruese.

A është duke u larguar (vetëdijshëm) përmbajtja informative që do të kishte rëndësi për të kapur e kuptuar proceset politike, ekonomike e kulturore shqiptare? 

Apo, “përkthyer” në gjuhën shqipe, mos është bërë qëllimi i pangopshëm komercial vendimtar se çfarë e si do të konsiderojnë mediat si lajm (partiak), e çfarë jo?

Dhe, për të qenë konsekuent gjer në fund: Mos janë duke dëmtuar, “ftohur” a “varrosur” industrialistët dhe industrialistet mediale shqiptare vetitë dhe dhuntitë njerëzore për bisedime e komunikime “sy ndër sy” e “gju në gju”? 

A mos është vallë kjo, industria më e madhe që po “tymon” sot në hapsirat shiptare, ajo që po i bën njerëzit të largohen nga njëri-tjetri e të mos angazhohen në dhënien e ndihmës?

Rreth kësaj duhet ta kruajmë kokën mirë, aq më tepër sot. Sepse, nëse mediat “tona” vijojnë si deri tani, ato jo vetëm që destabilizojnë politikën në përgjithësi, por përbëjnë edhe rrezik kronik për shëndetin mental të njeriut shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco