Humori i shqiptarëve e varros gruan të gjallë

Humori i shqiptarëve e varros gruan të gjallë

Nga Kimete Berisha - 04/03/2023

Nuk fjeta deri n'sabah...

Shumë e shqetësuar për pozitën e gruas në shoqëri.

Pozita e gruas në këngë - e neveritshme, e tmershme, e ultë, varr. i hapur.

Poezia dikur e ka redaktuar realitetin, e ka zbukuruar realitetin...

Tash poezia e këngës e nxinë të zezën; çel tokën e çon nga varri të vdekurin. Pozita e gruas në humorin e stupcave është robëreshë primitive, e përulur, pronë private e burrit.

Humori dikur i ka redaktuar të metat patriarkale të shoqërisë...

Sot humori i shqiptarëve e varros gruan shqiptare të gjallë.

Dhe ajo pranon.

Kur pranon të varroset e gjallë, pranon që barkun e saj ta bën varr për vajzën e saj të palindur.

Humor me burrat nuk bëjnë gratë.

Edhe më e shqetësuar, qysh ndodhi: dy gratë (opinionistja dhe sidomos moderatorja) në Big Brother me kryqa sa krahu në gjoks, që zonjat e rënda simbolin e flijimit e përdorin për modë...

Nuk e mbrojtën gruan që meshkujt po e gjuanin me gurë në moral.

Gruaja shqiptare - kur do ta fitojë simpatinë e burrit -i bashkangjitet burrit në urrejtjen e tij kundër grave të pavarura (nga ai).

Mashkulli tipik shqiptar mendon se gruaja e lirë është e përdalë.

Prandaj gruas së ndershme gjithmonë i kanë thënë 'Ajo është grua nën sund'!

Mendimi i parë që i shkon mendja një mashkulli kur e sheh një femër të lumtur - është mendim amoral.

Fjala e parë që e thotë mashkulli kur e sheh femrën duke kënduar është, hë, çka t'ra n'mend: Dashuria e parë?

Femër e mirë e ndershme është vetëm femra e trishtuar.

Nëse s'dukesh e lumtur - je e ndershme.

Nuk e di unë çka ka ndikuar që gjeneratat e reja t'i urrejnë femrat kaq shumë!

Vajzi i pseudo hoxhallarëve apo gazetaria?

Jo femrat e nënshtruara, femrat e pagojë dhe të dorëzuara - ato nuk i urrejnë.

I urrejnë vetëm gratë e pavarura dhe të zonjat.

Mashkulli shqiptar nuk pranon që femra të jetë më dikushi se ai.

Mendt e kresë e lënë.

E vetmja mënyrë për të mbijetuar është - aktrimi i nënshtrimit.

Kush s'ka ditur ta aktrojë përultësinë, dhe nënshtrimin para mashkullit - ka mbetur vetëm, kështu si unë...!

P.S. Kjo përndjekje po i ndodh edhe Ganimete Musliut, vetëm pse është e guximshme, e sinqertë, besnike e partisë së saj dhe nuk kalkulon për interesa personale...

Burrat e shajnë në emrin e Albin Kurtit, i cili e ka pushtetin!

Të mos ishte demokraci, do të na vrisnin për fjalën e lirë...

Në njëfarë mënyre na kanë vrarë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco