Disa mendime të shpejta rreth propozimit evropian për dialogun

Disa mendime të shpejta rreth propozimit evropian për dialogun

Nga Gent Carrabregu - 01/03/2023

1. Fillimisht, disa sqarime të karakterit terminologjik. Së pari, akoma nuk kemi një marrëveshje zyrtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Jemi duke folur vetëm për dakordim verbal mbi një propozim-marrëveshje, teksti zyrtar i së cilës u botua dje (27.02.2023). Ndaj në vijim, aty ku kam zgjedhur të përdor termin “marrëveshje” për t’iu referuar kësaj propozim-marrëveshjeje, këtë e kam bërë vetëm për lehtësi komunikimi. Së dyti, edhe po të ishte nënshkruar dje teksti që u bë i ditur pak pas takimit të djeshëm, sërish nuk do mund të jepnim vlerësime përfundimtare, sepse shumëçka varet nga udhërrëfyesi i zbatimit (aneksi i marrëveshjes). Për shkak se ky aneks është akoma në negocim e sipër, kjo propozim-marrëveshje vazhdon të mbetet një objektiv në lëvizje. Së treti, siç e thotë edhe vetë teksti i botuar dje, edhe pasi të ketë marrë trajtën e një marrëveshjeje të zbatueshme e të nënshkruar nga të dyja palët, sërish nuk do kemi të bëjmë me një marrëveshje përfundimtare, por vetëm me një hap të rëndësishëm në drejtim të saj (shih nenin 6). Së katërti, në vijim po jap disa mendime të shpejta, e për pasojë të përcipta, mbi këtë propozim-marrëveshje. Analiza e hollësishme e tekstit të propozim-marrëveshjes do të merrte faqe të tëra interpretimesh. Prandaj, ju lutem të keni parasysh të gjitha këto vërejtje sqaruese ndërsa lexoni ato që kam shkruar më poshtë.

2. Ç’lloj marrëveshjeje është kjo? Kjo është marrëveshje e tipit “modus vivendi” (mënyrë bashkëjetese paqësore), siç dihet e modeluar sipas marrëveshjes mes dy Gjermanive të Luftës së Ftohtë. Si e tillë, ajo ofron një mënyrë të të bashkëjetuarit paqësor mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në respektim të ndërsjelltë të shtetësisë së njëra-tjetrës, ndërkohë që palët vazhdojnë të pajtohen për t’u mospajtuar mbi një çështje thelbësore, domethënë atë të njohjes zyrtare (de jure). Serbia nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, ashtu sikundër Kosova nuk e njeh zyrtarisht Serbinë ashtu siç ajo e shpall vetveten në kushtetutën e tanishme të saj (pra bashkë me preambulën që Kosovën e konsideron pjesë përbërëse të territorit të vet). Përkundër kësaj, palët dakordohen që ndaj njëra-tjetrës të sillen si shtete të pavarura e sovrane. Nga ky këndvështrim, marrëveshja është e modeluar jo vetëm sipas shembullit të dy Gjermanive por edhe sipas sintagmës së famshme aristoteliane të Forrest Gump-it, domethënë “stupid is as stupid does”. Sipas kësaj marrëveshje, tash e tutje Republika e Kosovës do jetë për Serbinë një shtet efektivisht i pavarur dhe sovran, pikërisht sepse “recognition is as recognizer does” (njohje është si njohësi sillet). Gjithë sipas kësaj premise, se çka beson Serbia në thellësinë e ndërgjegjes së vet subjektive në lidhje me Republikën e Kosovës është krejt e parëndësishme; çka çon peshë është se si sillet ajo në praktikë ndaj faktit të pavarësisë dhe sovrantitetit tonë.
Është e rëndësishme të theksohet që dy mosnjohjet e përmendura më sipër janë asimetrike, dhe atë në dy rrafshe. Në njërin rrafsh, ndërsa mosnjohja serbe e pavarësisë sonë na shkakton neve telashe jo të vogla në arenën ndërkombëtare, mosnjohja jonë nuk i shkakton Serbisë kurrëfarë telashesh të tilla; ndaj kjo asimetri i jep Serbisë fuqi negociuese më të madhe kundrejt nesh. Mirëpo në rrafshin tjetër, atë të pranimit të realitetit, mosnjohja nga ana jonë e Serbisë me këtë kushtetutë që ka tani është në pajtim me gjendjen faktike në terren, ndërkohë që mosnjohja serbe e shtetësisë së Kosovës është në kundërshtim me faktet. Për dallim nga ajo e para, kjo asimetri e dytë na favorizon ne. Nga ky këndvështrim, me anë të kësaj marrëveshje (deri tani të dakorduar vetëm verbalisht), ne kemi arritur të zbusim asimetrinë e parë që favorizonte Serbinë—kjo marrëveshje premton të hapë rrugë të reja për çimentim të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë—pikërisht duke mjelur asimetrinë e dytë që na favorizonte ne. Duke e detyruar Serbinë të eliminojë hendekun mes sjelljes së saj ndaj nesh dhe fakteve në terren, kjo marrëveshje mënjanon problemet që ajo na paraqiste në rrugën e etablimit të shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare. Sigurisht, të gjitha këto anë pozitive të kësaj marrëveshje në realitet do të varen nga ajo se sa detyruese në zbatim do të jetë ajo. Nëse BE-ja nuk e garanton dot sjelljen e Serbisë në pajtim me pesë nenet e para të kësaj propozim-marrëveshje, atëherë kjo do të bëhet një tjetër marrëveshje e Brukselit që përfundon në koshin e plehrave. (Kuptohet që në anën tonë është edhe e drejta morale, por fatkeqësisht roli i saj në marrëdhëniet ndërkombëtare është i kufizuar).
Kur çështja e njohjes zyrtare të vijë në agjendë, krejt çfarë i mbetet elitës politike serbe të bëjë pas pranimit të pesë neneve të para të kësaj marrëveshje, është që të heqë dorë nga preambula donkishoteske (kundërfaktuale) e kushtetutës serbe dhe që t’ia dërgojë Prishtinës notën verbale të njohjes zyrtare. Pra pas kësaj marrëveshje të tipit “modus vivendi”, kundërthënia nuk do ekzistojë më thjesht dhe vetëm mes qëndrimit zyrtar të Serbisë dhe fakteve në terren, por edhe mes po atij qëndrimi dhe sjelljes së vetë shtetit serb. Me çimentimin gjithnjë e më të qëndrueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, që propozim-marrëveshja aktuale duket se do ta mundësojë, mosnjohja zyrtare e Kosovës nga ana e Serbisë do të bëhet gjithnjë e më absurde për cilindo politikan minimalisht të arsyeshëm serb. Pas pranimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshjeje, politikanë dhe parti politike serbe që garojnë me platformën e mosnjohjes së Kosovës do të tingëllojnë gjithnjë e më qesharakë për veshët e vetë popullit të tyre. Si rezultat, kjo do të kontribuojë që gjesti i njohjes zyrtare të bëhet gjithnjë e më i arritshëm politikisht. Që të mos keqkuptohem: nuk është se Serbia nuk ka pasur arsye të bollshme për ta njohur Kosovën deri më tani. Këtu po flasim vetëm për sjelljen e Serbisë ashtu siç e njohim, dhe për atë se si kjo marrëveshje, nëse zbatohet, pritet ta ndryshojë atë. Se sa në fakt do ta afronte njohjen zyrtare kjo marrëveshje që po diskutojmë këtu, varet nga shumë ndryshore komplekse që nuk i parashikojmë dot. Këtu po i lejoj vetes një lexim qëllimisht optimist të asaj se si kjo marrëveshje jopërfundimtare për njohje de facto, do mund të ndikonte në afrimin e asaj përfundimtare të bazuar në njohje të ndërsjelltë zyrtare. Sidoqoftë, dhe kurdo që të vijë njohja de jure, njohja de facto do të hapë ndërkohë shtigje të reja shumë të mirëseardhura për konsolidim të mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

3. Më lejoni tani të them disa fjalë për rreziqet e mundshme të kësaj marrëveshjeje të tipit “modus vivendi”. Rreziqet e mundshme fshihen, natyrisht, te çmimi eventual që do të na kërkohet të paguajmë për të vjelur të mirat e dukshme të kësaj marrëveshje. Teksti i marrëveshjes që u botua dje nga BE-ja nuk e specifikon këtë çmim; ai do jetë subjekt negociatash të mëtutjeshme. Sido që të jetë, po ta lexosh tekstin e marrëveshjes nuk është e vështirë t’ia qëllosh se ku mund të jetë duke u fshehur djalli. Djalli fshihet pas neneve që flasin për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme (neni 10) dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (neni 7). Kur jemi te zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme, dihet se rreziku na vjen nga njëra prej tyre, ajo për krijimin e një asociacioni një-etnik me kompetenca ekzekutive të komunave kosovare me shumicë serbe, që kjo qeveri e ka trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Një asociacion një-etnik me kompetenca ekzekutive, si dhe një eksterritorialitet i atillë për Kishën Ortodokse Serbe që do t’i jepte asaj një status të ngjashëm (fjala vjen) me qytetin-shtet të Vatikanit, do ta bënin këtë marrëveshje jo thjesht të palevërdisshme, por fatale për integritetin territorial, sovranitetin, si dhe funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës. Ndaj shtizat do thyhen pikërisht për këto dy çështje. Për ta thënë shkurt, çështja është se a do të kemi “Ahtisaari Plus” apo jo. Qeveria e Republikës së Kosovës do të këmbëngulë, me të drejtë, që të mos ketë kurrëfarë “Ahtisaari Plus”, ose të paktën që plusi të jetë aq i vogël sa të mos shihet as me mikroskop; në anën tjetër, qeveria serbe do të kërkojë që jo vetëm të ketë plus, por që ai të jetë mjaft mirë i vërejtshëm edhe për syrin e lirë.

4. Çfarë më bën optimist përkundër këtyre rreziqeve të mundshme? Dy faktorë, njëri që ka të bëjë me tekstin e marrëveshjes së botuar, dhe tjetri me karakterin e kryeministrit që na përfaqëson në këto negociata. T’i marrim radhazi. Nëse lexojmë nenin e marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë dhe për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe (neni 7), shohim se në të dyja rastet thuhet që këto çështje duhet rregulluar sipas modeleve dhe përvojave europiane. Sipas të gjitha gjasave, kjo thirrje në standardet europiane është përfshirë aty si rezultat i vërejtjeve të palës kosovare. Thirrja në standardet europiane është e rëndësishme për ne sepse na lejon të refuzojmë zgjidhje sui generis apo eksperimente sipas qejfit të Beogradit. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që Kosova tani përfaqësohet nga një kryeministër me përkrahje domethënëse popullore, mbi të cilin nuk rëndojnë as dyshime për korrupsion e as probleme të supozuara me të drejtën ndërkombëtare, atëherë them se rreziqet e mundshme të kësaj marrëveshje nuk ka gjasa të materializohen. Natyrisht, kjo s’do thotë që opozita dhe shoqëria civile duhet të flenë gjumë. Përkundrazi, ku ta gjejmë një opozitë dhe shoqëri civile të gjallë e atdhedashëse. Synimi ynë nuk duhet të jetë vetëm shmangia e rreziqeve, por edhe rritja gjer në maksimum e të mirave nga kjo marrëveshje.

5. Ndonëse e ka forcuar ndjeshëm pozicionin negociues të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti e gjen vetën në rrethanat e një aktori tragjik, në kuptimin që është i detyruar të veprojë nën ndikimin e rrethanave që nuk i ka zgjedhur vetë. Ndërsa opozitarizmi i tij i fortë, atdhedashës dhe parimor ndaj ish-udhëheqjes kosovare nuk shfrytëzohej si duhej nga kjo e fundit për të rritur pazarin në favor të Kosovës, sot vetë Kurti nuk e ka luksin e një opozite të ngjashme. Për më tepër, mbi të peshon barra e rëndë e gabimeve të paraardhësve të tij. Sigurisht, është e vërtetë gjithashtu se karakteri tragjik është në njëfarë mënyre në thelb të vetë veprimit njerëzor. Siç thoshte Marksi, njerëzit e bëjnë historinë, por jo në rrethanat e zgjedhura nga vetë ata. Brenda rrethanave të pafavorshme që nuk i ka zgjedhur vetë, Kryeministri Kurti po na përfaqëson denjësisht duke u përpjekur të bëjë më të mirën e mundshme për vendin.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco