Kundërshtarët e marrëveshjes së Brukselit janë kundër Kosovës Evropiane

Kundërshtarët e marrëveshjes së Brukselit janë kundër Kosovës Evropiane

- 28/02/2023

Gatishmëria e KM të Kosovës për të nënshkruar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve (dhe mendoj se kjo marrëveshje është një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve), është për t'u përgëzuar dhe mbështetur nga të gjithë. Nuk është aspak e rëndësishme nëse ky pëlqim bëhet me detyrim. Në një kohë kur njerëzimi po jeton kohën e agresionit të një despoti ndaj një populli të pafajshëm, kjo marrëveshje jep një kontribut shumë të çmuar edhe në krijimin e paqes botërore.

Po jetojmë epokën e rirreshtimit të politikës ndërkombëtare në dy akse, atë të Perëndimit dhe të Lindjes. Nëse Serbia vërtet e pranon këtë marrëveshje, atëherë edhe ne do të jemi më të sigurt në sfidat e ardhshme politike. Serbia është fqinji ynë natyror dhe këtë fakt nuk mund ta ndryshojmë kurrë. Pra, një Serbi evropiane është shumë më e mirë për ne sesa një Serbi e orientuar nga lindja. Normalizimi i marrëdhënieve me këtë fqinj është një premisë për zhvillimin social dhe ekonomik. Kush mendon ndryshe, nuk ka ne mendje interesat brezave që vijnë. Dhe, Kosova nuk është vetëm e jona, e të gjallëve të sotëm. Kosova është e atyre që do të vijnë. 

Politika është arti i së mundshmes, dhe duket se ky është maksimumi që mund të merrnim nga ky proces dialogu. Ata që e kundërshtojnë këtë produkt duke vënë në dukje mangësitë e tij, si mosnjohja reciproke, mospranimi në OKB etj., shfaqin dy gjëra: në rastin e partive politike, tregon epshin e tyre për pushtet në kurriz të interesi të shtetit; dhe në rastin e analistëve apo opinionistëve të çdo lloji, kombëtar dhe ndërkombëtar, tregon injorancën e tyre politike, apo dëshirën e tyre që ky vend të vazhdojë pafund në kaos dhe paqëndrueshmëri politike.

Ka ardhur koha që qeveritë e Kosovës të merren me problemet reale të neve që jetojmë në Kosovë. Nëse nuk nisin shpejt reformat në arsim, shëndetësi, ekonomi, kulturë, etj., ky vend do të boshatiset nga të rinjtë dhe intelektualët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco