Rama ta ndërpresë miqësinë me Vuçiçin, ta rrisë me Kurtin!

Rama ta ndërpresë miqësinë me Vuçiçin, ta rrisë me Kurtin!

Nga Arbër Zaimi - 27/10/2022

Zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi nuk po shkonte në Serbi për të vizituar struktura ilegale, për të takuar kontrabandistë apo për të shkaktuar trazira, siç bëjnë shpesh zyrtarët e Serbisë kur duan të vijnë në Kosovë, por për të marrë pjesë në një forum ndërkombëtar për dialogun ndër-etnik. Megjithatë nga qeveria e Serbisë nuk e lejuan. 

Ndërsa zyrtarët serbë ankohen dhe bëjnë zhurmë kur u ndalohen nga autoritetet e Republikës së Kosovës vizitat pa leje në Kosovë, që për synim kanë pikërisht takime me struktura ilegale apo provokimin e tensionit mes komuniteteve.

Qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama, nëse vërtet dëshirojnë t’i bëjnë një të mirë Kosovës dhe kombit, duhet ta denoncojnë sjelljen e qeverisë Vuçiç, bllokuese ndaj dialogut me Kosovën, mbrojtëse të strukturave kriminale e kontrabandiste në veri të Kosovës dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Është e qartë se:

- Qeveria e Kosovës punon për respektim të ligjit (gjë që është vlerësuar edhe nga organizata me prestigj ndërkombëtar). Qeveria Kurti promovon reciprocitetin ndërkombëtar e paqen, ndërsa në raport me dialogun është e hapur dhe ka dëshmuar kreativitet në propozimet për zgjidhje. Kosova ka trajtimin institucional më të mirë për minoritetet, dhe angazhohet për marrëdhënie të mira ndër-etnike.

- Qeveria e Serbisë mbështet struktura ilegale, kontrabandistë e persona të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare (si Radojçiçi përshembull), dhe nëpërmjet shumë deklaratave apo vizitave të zyrtarëve në Kosovë përpiqet të provokojë tension ndëretnik në Kosovë. Sipas organizatave si Amnisty International Serbia e Vuçiçit jo vetëm vazhdon të diskriminojë shqiptarët në Serbi, por ushtron në Luginën e Preshevës spastrim etnik me mjete administrative.

Qeveria e Kosovës vendos në pozita përfaqësuese njerëz që kanë vuajtur vetë pasojat e politikave serbe në kohën e Milosheviçit, ndërsa qeveria e Serbisë vendos zbatuesit dhe bashkëpunëtorët e Milosheviçit.

Prandaj është e nevojshme që Qeveria Rama të mbështesë e të mbrojë ndërkombëtarisht e diplomatikisht Kosovën dhe jo Serbinë. Është e rëndësishme që diplomacia e Shqipërisë të ketë prioritet mbi prioritete nxitjen e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e BE që ende nuk e njohin. Është e rëndësishme që vetë Rama të rrisë miqësinë me një kryeministër të përkushtuar për drejtësi, demokraci e paqe, si Albin Kurti, dhe ta ndërpresë miqësinë me Vuçiçin, këtë autokrat pro-Putin, që diskriminon shqiptarët, nxit tensione në Kosovë e rajon, dhe kultivon marrëdhënue me kriminelët.

Sa i përket propozimeve ndërkombëtare, si ai “franko-gjerman”, opinioni publik në Serbi apo ai pro-serb në rajon, i kërkon Vuçiçit të mos lëshojë pe e të kërkojë më shumë, ndërsa te opinioni publik shqiptar në Shqipëri e Kosovë fatkeqësisht ka zëra e portale që i bëjnë presion Kurtit të pranojë gjithçka, pa kërkuar asgjë, dhe të lëshojë pe. 

Përballë kësaj Serbie e këtij Vuçiçi të lëshojë pe…?

Çdo marrëveshje, për t’u pëlqyer nga shqiptarët, do të duhej të përfshinte së paku të drejtat e shqiptarëve në Luginë, ndërprerjen e plotë të mbështetjes dhe asgjësimin e strukturave mafioze të Beogradit në Kosovë, por edhe simetrinë në trajtimin e palëve prej njëra-tjetrës. Aq njohje e pranim sa Serbia i jep Kosovës, aq duhet edhe Kosova t’i japë Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco