Dorëheqja që më bëri të ndjehem keq

Dorëheqja që më bëri të ndjehem keq

Nga Bajram Mjeku - 30/08/2022

Dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti pas aktit të dhunimit të së miturës 11 vjeçare në Prishtinë e prita me keqardhje të madhe, për faktin se ai meritonte të ishte aty.

Dorëheqjen e nënkolonel Samedin Mehmetit e kuptoj si akt moral dhe si përgjegjësi profesionale, prandaj meriton respekt pafund.

Personalisht kët vit mbushi plot 16 vjet që kur punoj në Ministrinë e Brendshme dhe vazhdoj të besoj se miku im i mirë, Samedin Mehmeti e meritonte këtë pozitë të ndjeshme, mbrapa së cilës fshihen përgjegjësi të mëdha. 

Ajo që do ta veçoja tek drejtori i dorëhequr i Policisë së Kosovës është se gjatë kryerjes së punëve dhe detyrave, nuk kishte ngarkesa politike dhe ndarjen midis bindjeve politike dhe profesionit e bënte me finesa të ndjeshme. 

Besoj fort se Samedin Mehmeti vazhdon të jetë drejtori më i natyrshëm që kur punoj në Ministrinë e Brendshme, për faktin se është ndër oficerët e lartë, i cili në hierarkinë e Policisë së Kosovës është ngjitur meritueshëm dhe hap pas hapi, përfshirë këtu të gjitha trajnimet ndërkombëtare, që nga çlirimi i Kosovës e deri sot.

Nënkolonel Samedin Mehmeti kudo që të jetë në kuadër të Policisë, punët dhe detyrat di t'i bëj ndershëm dhe me përgjegjësi profesionale, pasi ai është i këtillë që kur e njoh, derisa dorëheqja e tij le të jetë leksion për të gjithë ata që kanë përgjegjësi ndaj Shtetit dhe Kushtetutës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco