Arrestimi i Rugovës pas tërheqjes së amerikanëve, blofi i kupolës së prokurorisë

Arrestimi i Rugovës pas tërheqjes së amerikanëve, blofi i kupolës së prokurorisë

Nga Syri.net Kosova - 12/10/2020

Kryeprokurori aktual i Republikës së Kosovës, para ca vitesh, ishte diskutuar si një kandidaturë e mundshme në zgjedhje nga PDK-ja. Kjo nuk kishte kurrfarë befasie. Mes njerëzve të drejtësisë dhe politikës, lidhjet e fuqishme kanë përcaktuar gjithnjë emërimet, sidomos në pozita kyçe.

Për dy dekada, mungesa e vullnetit politik për një sistem gjyqësor e prokuroria të pavarur, ka bërë që Kosova të përballet me krizë të thellë të sundimit të ligjit.

Edhe Gjykata Speciale erdhi si rrjedhojë e rënies së kredibilitetit të gjykatave dhe prokurorive vendore. Askush nuk beson në ndarjen e drejtësisë nga prokurorë e gjykatës që dirigjohen nga partitë.

Si në çdo sektor tjetër, edhe në drejtësi, të jesh prokuror apo gjykatës, nuk mund të bësh ndonjë farë karriere pa i pasur raportet ‘miqësore’ me politikën. Kjo nënkupton që duhet t’u shërbesh, në mënyrë që të shpërblehesh me vonë.

Kur vjen koha e konkurseve, lobimi bëhet në zyrat e partive. Pak rëndësi ka performanca në punë, rastet e trajtuara, guximi dhe përkushtimi, aftësia dhe paanshmëria.

Në rastin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, monitoruesit nga SHBA e kishin të qartë skemën korruptive në procesin e emërimeve të kryeprokurorëve, prandaj u distancuan menjëherë.

“Befasisht”, pak pas kësaj tërheqjeje goditëse për prokurorinë e shtetit, vjen edhe prangosja spektakolare e një figure të lartë politike, kryetar i komunës së Istogut. KPK sikur deshi t’u thotë amerikanëve “ e patët gabim, ja sa të pavarur jemi ne, godasim edhe në kupolat partiake”.

Rasti me Haki Rugovën është edhe një spektakël më shumë i sistemit tonë të drejtësisë. Ai nga qelia, u la në arrest shtëpiak dhe me siguri procesi gjyqësor ndaj tij, do të ketë fundin e të gjitha proceseve të ngjashme ndaj njerëzve me pushtet në Kosovë.

Asnjë nuk është burgosur, sepse bashkëjetesa e drejtësisë me politikanët e inkriminuar garanton lirinë për secilin abuzues të çdo niveli të pushtetit.

Këtë e di mirë edhe Isa Mustafa, që flet për nacionalizëm dhe irredentizëm, thua se është në vitet e Jugosllavisë, për të cilat edhe mund të ketë nostalgji. Akuzat e liderit të LDK-së ndaj prokurorisë, dëshmojnë edhe më shumë se sa të ngushta janë marrëdhëniet e organit të akuzës me zyrat e partive.

Kush më shumë e kush më pak, të gjithë kanë hisen e vet në drejtësi dhe e përdorin këtë të fundit, si kërbaç mbi shpinën e kundërshtarëve politikë, për shantazhe dhe eliminime, për përfitime të ngushta dhe qërim hesapesh.

KPK, do të duhej ta lexonte qartë mesazhin e tërheqjes së amerikanëve dhe të mos përpiqet të na hedhë hi syve. Në radhët e prokurorëve kosovarë ka të aftë e të guximshëm. Vetëm duke ua hapur rrugën atyre, mund të luftohet krimi dhe korrupsioni shtetëror.

Me zyrtarë shtetërorë që palojnë milionat pa mbulesë, me politikanë që vjelin përqindjet e tenderëve korruptivë dhe shëtisin lirshëm, nuk mund të themi se kemi as minimumin e një drejtësie efikase.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i preferuar i politikës, ka dështuar në misionin e tij. Një shembull që duhet harruar, për t’i hapur rrugën një personaliteti që nuk u shërben liderëve, por interesit nacional dhe sundimit të ligjit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco