Kaleidoskopi politik kosovar

Kaleidoskopi politik kosovar

Nga Asdren Rrahmani - 09/10/2020

Tani unë e paramendoj Kosovën si një tub cilindrik të kaleidoskopit. Guralecët me ngjyra në fund të tubit cilindrik janë partitë politike shumëngjyrëshe kosovare. Pasqyrat janë Parlamenti dhe Qeveria, të themi. Syri në fund të tubit jemi ne populli. Por ka një dallim këtu. Sa herë që e rrotullojmë cilindrin që t’i

Sa herë u ka ndodhur të keni menduar ndonjë detaj ashtu nga fëmijëria e juaj, e pastaj ashtu në bazë të atij detaji të mundoheni që t’i shpjegoni dukuritë, të cilat mund të jenë duke ndodhur në jetën tuaj në momentin e tanishëm, pavarësisht nga mosha të cilën jeni.

Momentalisht unë jam duke kaluar nëpër një moment të tillë. Sigurisht se ju kujtohen kaleidoskopët.

Ishin ato tubat cilindrike të ngjyrosura me ngjyra të ndezura nga jashtë, të cilat na e zbukuruan fëmijërinë dhe na e zgjuan kureshtjen njerëzore. Ato kur i drejtoje në drejtim të dritës dhe kur e afroje syrin që të shikoje në tubën cilindrike do të vëreje paterne të figurave gjeometrike të shumëllojta me ngjyra të shumëllojta. Sa herë që me njërën dorë do ta rrotulloje tubin cilindrik, paterna gjeometrike do ta ndërronte formën dhe do ta krijonte një formë tjetër gjeometrike, diçka si një fraktal. Ngjyrat ngjasojnë në ato të ngjyrave të mozaikëve nëpër dritaret e kishave kur shikon në to nga brenda-jashtë në drejtim të dritës.

Mirëpo sa nga ju e keni pyetur veten se si funksionon ai kaleidoskop? Si mund që të jenë aq "inteligjentë" ata gurët e vegjël zhurmën e të cilëve e dëgjojmë sa herë që e rrotullojmë kaleidoskopin ngadalë me dorën tjetër?

Kureshtja ime si fëmijë ishte aq e madhe saqë me vëllanë vendosëm që ta hapnim apo prisnim njërin nga dy sish, të cilët i kishim dhe të zgjidhnim enigmën se si funksiononte kjo lodër, e cila me orë të tëra mund të jepte kënaqësi, të magjepste me ngjyrat dhe format gjeometrike, të cilat i formonte në brendësinë e tij. Pasi që arritëm ta hapnim me vëllanë duke e prerë kaleidoskopin me një nga ato sharrat e vogla, të cilat i përdornim në lëndën e BAT-it (Bazat e Arsimit Teknik), për çudinë tonë brendësia e kaleidoskopit ishte e përbërë nga dy pasqyra ose sipërfaqe reflektuese të pozicionuara në një kënd me njëri-tjetrin, duke formuar një formë V ose një trekëndësh.

Tubi i brendshëm i cilindrit që rrethonte pasqyrat po ashtu ishin nga një masë reflektuese. Një koleksion objektesh, guralecësh të vegjël, të kristaltë, me ngjyrë, ishin të vendosur në njërin skaj të pasqyrave dhe në anën tjetër tubi kishte një vrimë ku e vendosje syrin për t’i shikuar ata guralecët me ngjyra në anën tjetër të tubit, i cili përfundonte si me një kapak difuz gjysmëtransparent.

Kureshtja jonë përfundoi me aq. Nuk kishte asnjë qenie "inteligjente" përbrenda kaleidoskopit, por sikur fëmijë që ishim gjithashtu nuk i kishim të njohura as ligjet e optikës nga lënda e fizikës, si dhe thyerjet e rrezeve të dritës dhe reflektimet nga pasqyrat e vendosura në një kënd të caktuar.

Asokohe nuk kishim as google e as youtube për t’i marrë përgjigjet në kërshëritë tona në lidhje me atë objekt, lodër. Ose do të ishte një lloj eksperimentimi i tillë, ose do të ishte një xhiro deri në bibliotekë ta kërkoje përgjigjen në ndonjërën nga enciklopeditë, të cilat mund të ishin në dispozicion aty. Mirëpo kjo ngjarje ka ndodhur në moshën tonë parashkollore, kështu që ne ende nuk dinim shkrim e lexim, dhe opsioni i bibliotekës nuk qëndronte.

Tani sigurisht se pyetni se ku dëshiroj të dal me këtë temën e kaleidoskopit dhe çfarë analogjie dua të bëj?

Tani unë e paramendoj Kosovën si një tub cilindrik të kaleidoskopit. Guralecët me ngjyra në fund të tubit cilindrik janë partitë politike shumëngjyrëshe kosovare. Pasqyrat janë Parlamenti dhe Qeveria, të themi.

Syri në fund të tubit jemi ne populli. Por ka një dallim këtu. Sa herë që e rrotullojmë cilindrin që t’i "përziejmë" këta guralecët partiakë me ngjyra të ndryshme, paternat gjeometrike nuk e posedojnë e as nuk e krijojnë atë bukurinë e as simetrinë e paternave të mozaikëve dhe fraktaleve të pafundme të kaleidoskopëve të fëmijërisë sonë.

Përzieji se si të duash dhe në çfarë kombinimi të duash, por paterna dhe mozaikë të bukur simetrikë si rezultat nuk do të ketë.

Në fakt, kaleidoskopi politik kosovar është bërë aq i parashikueshëm saqë ai nuk mund të zgjojë as kërshërinë e një fëmije.

Sikur ta rrotulloje pak kaleidoskopin politik kosovar, dy nga guralecët me ngjyra politike do të takoheshin diku në njërin nga hotelet e kryeqytetit. Do të bisedonin se si t’i ndanin pozitat e tyre pas marrëveshjes ndërmjet vete që në syrin e popullit, i cili po shikon nga ana e tjetër e tubit, të duket si diçka e bukur.

Një guralec me ngjyrë të caktuar, për shembull, ta themi me ngjyrë të kaltër, do të kërkojë që marrëveshja të përfshinte emërimin e presidentit të vendit, i cili do të duhej që të vinte nga ana e ngjyrës së guralecëve të kaltër, të cilët ata i përkasin. Mirëpo pasi që guralecët e kaltër janë duke kaluar nëpër procese të vështira me Dhomat e Gjykatës së Specializuar për "krime lufte", të cilat mund të implikojnë edhe arrestimin e kryetarit të guralecëve të kaltër apo edhe arrestimin e presidentit të shtetit kosovar që dikur vinte po ashtu nga bashkësia e guralecëve të kaltër, ata sigurisht se njëherë duhet pasur opsionet përbrenda guralecëve të vet se kush do ta udhëhiqte partinë e tyre e kush do të emërohej president vendi pas marrëveshjes të cilën guralecët e kaltër dhe të kuq po e bënin në këtë hotel të kryeqytetit dhe të cilin do ta formalizonin me një koalicion të ri qeverisës.

Sa për fair-play informatë që guralecët e kaltër do të mund ta bënin ndaj guralecëve të kuq gjatë takimit në njërin nga hotelet e kryeqytetit, ata do të mund ta ndanin informatën se ata i kanë opsionet ndërmjet Hajredin Kuqit dhe Vlora Çitakut, dhe se ende nuk kanë vendosur se cili nga ta do ta kryejë cilin funksion dhe kjo mbetet çështje e guralecëve të kaltër për të zgjedhur. Por që në fund të tubit, atje nga ana tjetër e kaleidoskopit, në vrimën e kaleidoskopit, do të perceptohet një paternë e "bukur" për sytë e popullit, të cilët po vështrojnë.

Fair-play-in të cilin e përmenda më herët ndërmjet guralecëve të kaltër dhe të kuq, në fakt nuk ka pasur asnjëherë, ka pasur vetëm interesa të ngushta afatshkurtra meskine, klanore dhe partiake dhe ato nuk dallojnë as kësaj radhe. Nuk bëhen këto kombinime që t’i sjellin një kënaqësi syrit i cili po i vështron, këto bëhen për t’i rehatuar interesat e ngushta të njëri-tjetrit.

Dhe tani ju sigurisht se mund ta pyesni veten: "po mirë ekselenca juaj, por si mund ta parashihni kombinimin e kaleidoskopit politik kosovar? Ndoshta mund të dalë një kombinim i bukur për syrin më fund!".

Mirëpo unë vazhdoj që të insistoj se nuk mund të jetë asgjë e bukur as për syrin.

Nëse e lexoni me kujdes nga fillimi këtë ditar dhe hapjen e kaleidoskopit, ai brenda përbëhet nga guralecë të kristaltë me ngjyrë që më vete mbërthen faktin se janë transparentë dhe se drita mund të kalojë nëpër ta.

Për guralecët e kaleidoskopit politik kosovar e thashë se janë vetëm guralecë me ngjyrë, guralecë solid me ngjyrë. Nuk ka rëndësi se si dhe sa herë do ta përziesh kaleidoskopin, efekte dhe paterne të bukura fraktalesh infinite mozaikë nuk do të ketë. Drita nuk depërton nëpër ta, sepse nuk janë të kristaltë dhe transparentë. Reflektimi i tyre nga pasqyrat nuk prodhon asgjë përveç hijeve shtesë. Reflektimi i hijes mbetet errësira apo jo?

T’i kthehemi realitetit. Ndoshta emrat e përfolur më sipër janë pikërisht ata, vetëm përfolje dhe nuk do të dëshiroja që askush ta merrte asgjë personale. Mirëpo mendoj që kaleidoskopit politik kosovar i mungojnë transparenca dhe kalkulimet e partive politike për ndarje postesh dhe pozitash shtetërore, por bashkëpunimin e tyre për koalicionet e mundshme qeveritare tashmë e kanë arritur pikën neveritëse në raport me votuesit.

Legjitimiteti i të gjitha këtyre kombinimeve nuk pasqyron aspak atë se si dhe me çfarë kauzash janë kërkuar votat e qytetarëve në zgjedhjet e fundit para pikërisht një viti, ndërsa kombinimet qeverisëse, koalicionet edhe apetitet partiake për pozita shtetërore vetëm sa po shtohen.

Është e rrugës dhe momenti i fundit që të gjithë këta njerëz egocentrikë t’i thërrasin mendjes së tyre dhe t’i kthejnë mandatet e tyre tek populli e pastaj le të shndërrohen në guralecë të kristaltë me ngjyra dhe transparentë dhe le të premtojnë forma të bukura për sytë e popullit, po qe se i votojnë prapë ua pafshim hairin (të cilin nuk ua pamë qe 20 vjet).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco