Të humbur në dështim

Të humbur në dështim

Nga Enver Robelli - 08/10/2020

Një qeveri që dështon gjashtë herë për të kaluar një ligj, duhet të dorëhiqet, ndërsa partitë do të duhej të merreshin vesh për zgjedhje të reja. Ekziston rreziku që të ndodhë e kundërta: që kriza e legjitimitetit të vazhdojë dhe bashkë me të edhe dramat politike. Një nga dramat e ardhshme mund të jetë: zgjedhja e presidentit.

Dështimi për të gjashtën herë i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike tregon për krizën e thellë të mosbesimit mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Ky mosbesim nuk po tejkalohet as përballë një krize të rëndë ekonomike, siç nuk e ka përjetuar Kosova që nga lufta e fundit. Në muajt e ardhshëm kriza do të ashpërsohet edhe më shumë. Këtu s'do të bëjnë punë as milionat e dërguara nga diaspora, sivjet më të larta se në vitin 2019.

Qeveria thotë se është stabile, por shihet ashiqare që nuk ka shumicë në Kuvend. Një pjesë e opozitës (VV), e zemëruar me mënyrën si u zgjodh qeveria e re në fillim të qershorit, ka kaluar në modusin e bllokadës totale. PDK po pret hyrjen në qeveri për t'u bërë "konstruktive". LDK po synon që këtë "konstruktivitet" ta blejë duke i ofruar PDK-së postin e presidentit. Shpresa e LDK-së është se PDK do t'ia kthejë këtë "të mirë", duke e përkrahur qeverinë e udhëhequr nga LDK.

Në 12 muajt e fundit besimi në të dy këto parti (LDK dhe PDK) ka rënë në mënyrë dramatike. Rrugëdalja e vetme logjike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por duke e ditur se mund të pësojnë disfatë (të rëndë) në zgjedhje, LDK dhe PDK do të përpiqen të mbajnë njëra-tjetrën në pushtet - aq sa është e mundur.

Testi në javët apo muajt e ardhshëm do të jetë zgjedhja e presidentit. Pa një pajtim me opozitën, por edhe me AAK-në dhe Nismën (në pushtet), LDK dhe PDK do ta kenë të vështirë të imponojnë një kandidat apo kandidate për postin e presidentit. Opozita e bashkuar mund të bojkotojë seancën dhe kështu zgjedhja të dështojë në start për shkak se për të filluar procesi i zgjedhjes së kryetarit të shtetit duhet të sigurohet kuorumi prej 80 deputetëve të pranishëm në sallë.

Tani për tani një shumicë të tillë LDK dhe PDK duket se nuk e kanë - madje edhe nëse atyre u ndihmon bujarisht Aleksandër Vuçiqi me Listën e tij serbe. Opozita (VV) dhe AAK si parti në pushtet nuk kanë interes t'i bëjnë amin një kandidati për president të nxjerrë nga kapelja e cirkut politik mes LDK-së dhe PDK-së. Interesi i VV-së dhe AAK-së është që të dështojë zgjedhja e presidentit dhe kështu të provokohen zgjedhjet parlamentare. Cili është interesi i Kosovës? Ky duket se nuk është prioritet i partive politike.

E logjikshme dhe gjithsesi më demokratike do të ishte që presidenti të zgjidhej nga një Kuvend i ri, i cili buron nga verdikti i ri popullor. Por çka ka qenë logjike në politikën e Kosovës në dekadat e fundit? Improvizimet, intrigat, lojërat do të vazhdojnë. Në nenin 1 të ligjit për presidentin e Kosovës thuhet: "Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës". Ky nen nuk është marrë parasysh gati asnjëherë në zgjedhjen e presidentit dhe me gjasë nuk do të merret as tani parasysh nga LDK dhe PDK.

Zgjedhja e presidentit për këto parti është mbi të gjitha përpjekje për të ruajtur pushtetin se sa angazhim i sinqertë për të zgjedhur një president që kalon kornizat e ngushta partiake dhe rrjedhimisht është i pranuar për opinionin e gjerë. Gjasat që një tryezë e përbashkët e partive politike të gjejë një kandidat apo kandidate që sadopak përfaqëson unitetin e popullit, duken të vogla. Arti i kompromisit qëmoti është zëvendësuar nga agjendat afatshkurtra të partive politike. Rrjedhimisht, Kosova edhe në muajt në vijim rrezikon të mbetet peng i polarizimit të thellë dhe bllokadave politike. Çmimin do ta paguajnë qytetarët e vendit.

Kosova gjendet para disa vështirësive. Dialogu me Beogradin ka mbetur në qorrsokak. As BE, as SHBA-të nuk kanë një përfytyrim të qartë se si të vazhdojnë më tutje. Vullneti i Perëndimit për t'i bërë presion Serbisë për ta pranuar Kosovën nuk është i madh, madje nganjëherë fitohet përshtypja sikur ky vullnet nuk ekziston fare. Dialogu po ecën me autopilot dhe me pritjen sidomos të Brukselit që "palët të merren vesh". SHBA-të gjenden në fushatë elektorale dhe është e paqartë nëse do të dihet rezultati i zgjedhjeve kur bota të zgjohet nga gjumi më 4 nëntor. Ekziston rreziku që drama e numërimit, rinumërimit dhe kontestimit të rezultatit elektoral nga presidenti aktual të zgjasë disa ditë ose javë. Presidenti i ri i SHBA-ve do të marrë postin tek më 20 janar. Deri atëherë s'mund të pritet ndonjë nisme e re serioze nga Washingtoni. Veprimet e Gjykatës Speciale mund të kenë efekte disruptive në skenën politike të Kosovës. Kriza e shkaktuar nga korona po ashtu. Por të gjitha këto duket se nuk i bëjnë përshtypje gati askujt në arenën politike të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco