Këta ta kompleksojnë edhe koronavirusin...

Këta ta kompleksojnë edhe koronavirusin...

Nga Syri.net Kosova - 08/10/2020

Gjashtë herë dështoi votimi i Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Asnjë lëvizje. Asnjë kërkimfalje. Asnjë nismë për zhbllokimin e situatës. Më rëndë nuk ka qenë gjatë këtyre dy dekadave. Rreth 9 për qind është tkurrja e ekonomisë, 30 mijë vende të punës pritet të mbyllen deri në fund të këtij viti. Pasojat nga pandemia janë alarmuese

Por, politika nuk po e vë ujin në zjarr. Të vetmit, janë politikanët që nuk preken nga kriza. Asnjë kufizim nuk ka për shpenzimet e tyre, pagat e mëditjet, udhëtimet e luksin qeveritar, emërimet pa fund e pa kurrfarë kriteri e nevoje.

Sektori privat është në gjendje mbijetese, ndërsa mbi kurrizin e tij, vegjeton sektori publik, shpesh me paga super të larta dhe performancë të mjerueshme.

Mes publikes e privates, pandemia e ka thelluar hendekun. Rrogëtarëve të shtetit të ardhurat nuk u janë prekur, ndërsa bizneset po detyrohen të largojnë njerëz nga puna, sepse nuk kanë qarkullim as për të mbuluar kostot operacionale.

Por, të gjitha këto, nuk u bëjnë përshtypje përfaqësuesve të popullit. Kuvendi që e ka zgjedhur qeverinë Hoti, për herë të gjashtë dështoi ta kalonte Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Kjo është papërgjegjësi e paparë.

Shtetet në rajon, si Maqedonia fqinjë, kanë miratuar pakon e katërt, ndërsa te ne, ende nuk janë paguar as detyrimet e pakos emergjente financiare, të miratuar në kohën e qeverisë Kurti.

Parlamentarët as nuk po nguten, as nuk po reagojnë. Thjesht, nuk po e çajnë kokën për mijëra njerëz që brenda pak muajsh do të përballen me ekzistencën për shkak të krizës ekonomike.

Tri rrugë janë përpara. Kuvendi duhet ta votojë propozimin e qeverisë ose ta shkarkojë kryeministrin Hoti e të zgjedhë një tjetër. Nëse dështon, atëherë presidenti duhet ta shpërndajë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje të reja. Alternativa më e mirë është kjo e fundit, që nuk preferohet nga shumica parlamentare.

Megjithatë, pafundësisht nuk mund të zvarritet kështu Ligji për Rimëkëmbjen e Ekonomike. Njerëzit po presin më kot dorën e shtetit.

Qeveria nuk ka pse të fajësojë opozitën për gjashtë dështimet e deritashme. Është përgjegjësi e koalicionit qeveritar që të bëjnë votat, ashtu siç i bënë për ta zgjedhur Hotin kryeministër. Nëse kanë humbur mbështetjen, le ta japë dorëheqjen dhe ta zhbllokojë situatën.

Ka sidoqoftë një shpjegim për këtë zvarritje. Pritja e LDK-së që PDK-ja t’i bashkohet qeverisë, që me gjasë do të ndodhë së shpejti.

Por deri kur, ky vend do të paguajë koston e pazareve të mbrapshta politike?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco