Si ramë kaq poshtë, nga sandviçi i Dullës, te trafikanti i drogës në kupolën e drejtësisë

Si ramë kaq poshtë, nga sandviçi i Dullës, te trafikanti i drogës në kupolën e drejtësisë

Nga Syri.net Kosova - 06/10/2020

Nuk zgjati shumë euforia sanduiçjane. As udhëtimi modest i një qeverie me autobus. ‘Thjeshtësia’ e saj, u godit shpejt. Mund të kishte ndodhur në plot prej zyrave shtetërore, por bash në kabinetin e Ministrit të Drejtësisë...

Nuk është as hera e parë, as e fundit, që një zyrtar i inkriminuar bëhet pjesë e qeverisë. Të tillët kanë mbajtur pozita, kanë marrë vendime, na kanë përfaqësuar jashtë vendit. Zotimet për dekriminalizim të ekzekutivit, u injoruan nga vetë zotimdhënësit.

Ky nuk është një aksident politik. Është treguesi real, se kush na qeveris sot. Njëzet vjet pas luftës, politika kosovare nuk ka arritur të distancohet nga bota e krimit. Lëre më që ta luftojë atë.

Kryeministri mund të hajë sandviç, mund edhe të rrijë pa ngrënë fare. Kjo, pikë rëndësie në fund të fundit nuk ka. Ti mund të jesh burrë i mirë, i ndershëm, por Kosova ka nevojë për një kryeministër që e lufton krimin dhe korrupsioni, jo thjeshtë një soditës.

Puna e parë që do duhej ta bënte Hoti, do të ishte shkarkimi i ministrit të Drejtësisë, që me vetëdije të plotë mori si këshilltar, një trafikant heroine. Dhe ne presim reforma në sundimin e ligjit nga njerëz të tillë....

Kjo është arsyeja pse nuk na i liberalizojnë vizat. Qeveritë tona nuk kanë dëshmuar se e kanë seriozisht luftën kundër kriminelëve dhe bandave, kundër të korruptuarve dhe abuzuesve në pozitat publike.

Sot është 6 tetor 2020. Një vit më parë, shpresuam se erdhi dita që të besojmë në një kthesë të fortë. Zgjedhjet parlamentare e dhanë sinjalin e ndryshimit, por sa pak zgjati shija e festës.

Qeveria që mori përsipër reformat dhe stabilizimin e demokracisë, nuk i bëri dot as 100 ditë.

Fituesit e vërtetë, u ‘nokautuan’ shpejt dhe frenat e situatës, i morën në duart e tyre, ata që i kishin pasur edhe para 6 tetorit.

Pazare, prapaskena, tenderomani, trafikantë, nepotizëm, korrupsion....

Para një viti, koalicioni zvarritej për shkak të postit të presidentit. Sot, presidentin e japin  me të dyja duart. Mjafton, që të shmangen zgjedhjet. E ndiejnë të gjithë rezultatin.

Me shpresën se, sa më shumë i zvarritin, zbutet edhe zemërimi popullor, janë në gjendje për çdo lloj bashkëqeverisjeje, nënshtrohen para secilës dëshirë për hise pushteti.

Mes shkarkimit të ministrit të drejtësië dhe heshtjes, kryeministri ynë me siguri do ta ndajë sandviçin me të....

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco