Policia e Kosovës ka ekstraduar të dielën një shtetas të Danimarkës, i cili kërkohej nga autoritetet daneze për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen.
Sipas njoftimit të Policisë, ekstradimi është realizuar më 27 korrik 2026 përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“I dyshuari ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë daneze, për veprat penale ‘Vrasje’, ‘Mbajtja e armëve të zjarrit në rrethana veçanërisht rënduese’ dhe ‘Zjarrvënie’”, thuhet në njoftim.
Policia theksoi se ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Danimarkës.
“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Danimarkës”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia e Kosovës njoftoi gjithashtu se do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër krimit.
“Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimit, kapjes dhe arrestimit të personave e grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.
© SYRI.net