Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka nisur edhe afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Por, deri tashti, partia fituese e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë asnjë veprim për themelimin e institucioneve të reja.
Partitë politike, ende nuk kanë lëvizur sa u përket pozicioneve politike, derisa kjo mbetet për t’u parë ditëve në vazhdim.
Kurse, edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka dhënë një datë se kur mund të thirret seanca për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.
Një ditë më parë, ajo ka thënë se një veprim të tillë do ta marrë brenda afatit kushtetues prej 30-ditësh.
Ndryshe, sipas nenit 66 të Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura e re duhet të konstituohet jo më larg se 7 gushti.
Kushtetuesja ka sqaruar se “mbajtja” e seancës konstituive nuk nënkupton vetëm mbledhjen e deputetëve në sallë, por përfundimin e të gjitha veprimeve kushtetuese që e bëjnë kuvendin funksional, përfshirë verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit.
Certifikimi i rezultateve është bërë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
© SYRI.net