Komisioni qeveritar për persona të zhdukur vlerëson se mungesa e bashkëpunimit nga Serbia vazhdon të jetë pengesa kryesore në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Në një prononcim për IndeksOnline, udhëheqësi i njësisë së komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Kushtrim Gara, tha se institucionet e Kosovës vazhdojnë bashkëpunimin me mekanizmat përgjegjës për të avancuar procesin e identifikimit të lokacioneve të mundshme të varrezave masive.
“Komisioni vazhdon bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt me mekanizmat përgjegjës për çështjen e personave të zhdukur, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe avancimin e përpjekjeve për identifikimin e lokacioneve të mundshme të varrezave masive në territorin e Serbisë”, deklaroi Gara.
Ai theksoi se çdo informacion i besueshëm mund të jetë vendimtar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për respektimin e së drejtës së familjarëve për të ditur të vërtetën.
“Çdo informacion i besueshëm mund të ketë rëndësi të veçantë për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, në përpjekjen e vazhdueshme të komisionit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në respektimin e një të drejte elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë gjatë luftës”, tha ai.
Gara akuzoi Serbinë se vazhdon të pengojë procesin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve, duke mos ofruar qasje në dokumentacionin relevant dhe duke mos lejuar gërmime të mjaftueshme në territorin e saj.
“Serbia edhe 27 vjet pas luftës, vazhdon me politizimin e skajshëm edhe të këtij procesi. Mungesa e qasjes në dokumentacionin relevant dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë edhe në lejimin e gërmimeve në territorin e tyre, vazhdon të jetë sfida dhe pengesa më e madhe në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Për këtë arsye, mbetet thelbësore hapja e arkivave të ish-ushtrisë jugosllave dhe institucioneve të tjera serbe, në përputhje edhe me zotimet e marra në deklaratën e përbashkët për persona të zhdukur”, përfundoi Gara.
© SYRI.net