Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për ndarjen nga jeta të 25-vjeçarit, trupi i pajetë i të cilit u gjet sot në ujërat e Liqenit të Batllavës pas një operacioni kërkim-shpëtimi.
Përmes një postimi, Bulliqi ka falënderuar të gjitha ekipet e emergjencave dhe qytetarët që u angazhuan në këtë aksion të rëndë.
“Sapo u informova se është gjetur trupi i pajetë i të riut në Liqenin e Batllavës. Në emrin tim personal dhe të Komunës së Podujevës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e më të dashurit të tyre. I falënderoj ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Zjarrfikësve, QKMF-në e Podujevës dhe gjithë qytetarët që kontribuuan në këtë aksion të kërkim-shpëtimit. Dashtë Zoti që mos të kemi raste të tilla të rënda për të gjithë neve”, ka shkruar Bulliqi.
Trupi i pajetë i 25-vjeçarit u nxor sot nga liqeni pas kërkimeve që kishin nisur që nga dita e djeshme nga njësitet e specializuara të zhytësve të FSK-së dhe autoritetet e tjera lokale.
© SYRI.net