E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, tha se teksa Kosova vazhdon të integrohet në komunitetit ndërkombëtar, mundësitë në bashkëpunim në shumë fusha përfshirë në mbrojtje dhe në energji “janë të pakufishme”, duke shtuar se bizneset amerikane kërkojnë partnerë të besueshëm.
Në ngjarjen e organizuar nga kjo ambasadë për 250-vjetorin e shtetësisë amerikane, Prattipati tha se shteti i saj mezi pret të rrisë partneritetin me Kosovën, sepse, sipas saj një Kosovë stabile, prosperuese nuk është gjë e mirë vetëm për popullin e saj, por edhe për Evropën e botën.
Sipas diplomates amerikane, miqësia mes SHBA-së dhe Kosovës bazohet në vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besimi se e ardhmja definohet nga mundësitë dhe siguria.
“Pak miqësi e pasqyrojnë këtë frymë më mirë se ajo e ndërtuar mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besim të përbashkët në një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë dhe siguria…
Historia jonë na ka lidhur me kombe me mendësi të ngjashme, që ndajnë të njëjtat synime dhe parime. Kosova gjithmonë ka qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara, duke mbështetur prioritetet tona, duke kontribuar në forcën ndërkombëtare të stabilizimit, në Bordin e Paqes, dhe duke investuar në arsim e teknologji.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës. Ne qëndrojmë me Kosovën në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Ne qëndrojmë me Kosovën teksa punon për të krijuar një ekonomi të begatë që tërheq investime dhe zgjeron mundësitë për të gjithë qytetarët e saj.
Dhe presim me kënaqësi forcimin e partneritetit tonë, përfshirë rritjen e tregtisë që çon përpara prosperitetin e përbashkët. Sepse një Kosovë stabile, demokratike dhe e begatë nuk është e mirë vetëm për popullin e Kosovës; është e mirë për Evropën dhe për botën.
Investimi juaj në programin Fulbright, përkushtimi juaj ndaj inovacionit dhe roli juaj si eksportues i sigurisë tregojnë se Kosova nuk është vetëm partnere, por edhe lidere e ardhshme në rajon. Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim — veçanërisht në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji — janë të pakufizuara”, tha Prattipati.
© SYRI.net