Analisti politik, Arton Demhasaj ka kritikuar idenë për krijimin e një force të re të xhandarmërisë, duke e cilësuar atë si të panevojshme dhe të motivuar politikisht.
Sipas tij, ekzistenca e Policisë së Kosovës dhe Ushtrisë së Kosovës mjafton për mbulimin e funksioneve të sigurisë dhe rendit publik.
“Nëse ti e ke Policinë njëkohësisht e ke edhe Ushtrinë, Policinë për rend e Ushtrinë për siguri, nuk ka nevojë për me krijuar një forcë të tretë, komplet e panevojshme”, deklaroi Demhasaj.
Ai theksoi se Qeveria do të duhej të përqendrohej në përmirësimin e kushteve për forcat ekzistuese të sigurisë, duke përmendur pajisjet, veshmbathjet dhe kushtet e punës.
“Qeveria aktuale më mirë është me ju siguru uniforma, veshmbathje e kushte të nevojshme Policisë e Ushtrisë se sa me u marrë me këto ide kot e elektorale”, tha ai.
Demhasaj kritikoi gjithashtu gjendjen aktuale të pjesëtarëve të Policisë.
“Policia janë në kushte të mjerueshme për paga e s’kanë sigurime dhe dalin me këto ide”, u shpreh ai.
Në fund, ai akuzoi qeverinë aktuale se për disa vite nuk ka përmirësuar kushtet as për Policinë dhe as për Ushtrinë, ndërsa tani, sipas tij, po prezanton nisma të panevojshme./Front Online
© SYRI.net