Operacioni 'Whisper', vazhdim i dosjes 'Ura': Antimafia italiane godet rrjetin ndërkombëtar të drogës, Shqipëria vendi furnizues i drogës

Operacioni 'Whisper', vazhdim i dosjes 'Ura': Antimafia italiane godet rrjetin ndërkombëtar të drogës, Shqipëria vendi furnizues i drogës

08:32, 10/07/2026

Një megaoperacion i Drejtorisë Investigative Antimafia (DIA) italiane ka goditur dy organizata të fuqishme kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke ekzekutuar 23 masa sigurie, prej të cilave 21 në burg dhe 2 në arrest shtëpie, në provincat Leçe, Brindizi, Bari, Romë, Vibo Valentia dhe Matera.

Operacioni është koduar “Whisper” (Pëshpërima), emër që lidhet me mënyrën tepër të kujdesshme me të cilën anëtarët e grupeve komunikonin mes tyre.

Operacioni, i koduar “Whisper”, është rezultat i një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria Antimafia e Leçes nga viti 2022 deri në 2025, por që, sipas autoriteteve italiane, buron drejtpërdrejt nga operacioni “Ura”, hetimi i përbashkët mes DIA-s së Barit dhe SPAK-ut në Shqipëri, i zhvilluar nga shtatori 2021 deri në qershor 2022.

Një nga operacionet më të mëdha antidrogë të viteve të fundit në jug të Italisë ka goditur sërish rrjetet shqiptare të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Operacioni “Whisper”, i finalizuar në orët e para të mëngjesit nga Drejtoria Investigative Antimafia (DIA), është vazhdim i drejtpërdrejtë i hetimit “Ura”, dosja italo-shqiptare që kishte zbuluar kanalet e furnizimit me drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Lidhja me operacionin “Ura”

Në dosjen “Ura”, hetuesit dokumentuan ekzistencën e një organizate kriminale shqiptare, të drejtuar nga një trafikant i njohur shqiptar me bazë të përhershme në Durrës, që furnizonte me heroinë, kokainë dhe marijuanë provincat italiane të Brindizit dhe Leçes.

Ky trafikant shqiptar është mes personave ndaj të cilëve është ekzekutuar masa e arrestit në operacionin “Whisper”.

Megjithatë, hetimi i ri zbuloi se në Itali vepronin dy grupe të ndryshme narkotrafikantësh të lidhura me njëra-tjetrën përmes rrjetit të furnizimit.

Organizata narkotrafikante në Brindizi

Grupi vepronte kryesisht në qytetin Oria, në provincën e Brindizit.

Sipas hetimeve, ai importonte sasi të mëdha heroine dhe kokaine nga organizata kriminale shqiptare me bazë në Durrës.

Drejtues i grupit në Itali ishte një banor i Orias, i cili organizonte importin, ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës me ndihmën e nënës, partneres, tezes dhe mbesës së tij, të cilat përdoreshin edhe për pagesat ndaj furnizuesve shqiptarë.

Droga ruhej fillimisht në një servis automjetesh në Oria dhe më pas transportohej në dy banesa në fshat, të shndërruara në laboratorë për prerjen dhe paketimin e heroinës.

Vetë drejtuesi i grupit e përziente drogën me raport 1 me 6, për të shumëfishuar fitimet, përpara se ta shiste me çmime nga 6 mijë deri në 8.500 euro për kilogram.

Grupi narkotrafikant në Leçe

Organizata e dytë vepronte në qytetin e Leçes.

Kjo strukturë drejtohej nga një trafikant italian, i njohur për autoritetet, i cili vazhdonte të komandonte aktivitetin kriminal edhe nga burgu.

Sipas përgjimeve, urdhrat e tij transmetoheshin jashtë burgut nga bashkëshortja, e cila mbante kontaktet me anëtarët e grupit.

Hetimet zbuluan se kjo organizatë siguronte:

heroinën nga furnizues shqiptarë të vendosur në Policoro;
kokainën nga furnizues të lidhur me ’Ndranghetën në Reggio Calabria dhe Vibo Valentia.

Roli i rrjeteve shqiptare

Prokuroria Antimafia thekson se rrjeti shqiptar ishte hallka kryesore e furnizimit me drogë.

Heroina, kokaina dhe marijuanë mbërrinin nga Shqipëria, ndërsa transporti kryhej me korrierë shqiptarë, gra dhe madje edhe të mitur.

Një nga metodat e përdorura ishte transporti me autobusët e linjës ndërkombëtare Itali–Shqipëri, ku korrierët lëviznin vazhdimisht në të dy drejtimet.

58 kilogramë drogë të sekuestruar

Gjatë hetimeve u sekuestruan në total:

30 kilogramë heroinë;
25 kilogramë marijuanë;
3 kilogramë kokainë.

Në total, 58 kilogramë lëndë narkotike.

Po ashtu u zbuluan dy laboratorë për prerjen dhe paketimin e drogës, u sekuestruan dy armë zjarri me municione, ndërsa u arrestuan në flagrancë 15 persona, mes tyre 3 shtetas shqiptarë, 2 gra dhe një person në kërkim ndërkombëtar.

Goditjet ndaj shtetasve shqiptarë

Gjatë hetimeve u dokumentuan disa episode të rëndësishme:

më 21 janar 2023, një shtetas shqiptar u arrestua në autostradën A4 me 4.5 kilogramë heroinë të fshehur në automjet;
më 2 shkurt 2023, dy shtetas shqiptarë u arrestuan në Bari Nord me 5 kilogramë heroinë dhe 72.870 euro të fshehura në një vend sekret të makinës;
më 30 mars 2023, në Policoro, një tjetër shtetas shqiptar u arrestua me 10.36 kilogramë heroinë, ndërsa në banesën e tij u sekuestruan edhe 4.95 kilogramë heroinë, 5 kilogramë marijuanë dhe materiale për paketimin e drogës.

Sipas hetuesve, kjo sasi ishte destinuar për organizatën kriminale që vepronte në Leçe.

Regjistri sekret i organizatës

Një nga provat më të rëndësishme ishte fotografia e një regjistri financiar të gjetur në telefonin e një të arrestuare.

Dokumenti tregonte se vetëm në periudhën shtator-dhjetor 2021 organizata kishte regjistruar:
dorëzimin e 56 kilogramëve heroinë me vlerë 4.500 euro për kilogram;
shitjen e 4 kilogramëve kokainë me vlerë 36 mijë euro për kilogram.

Vlera totale e transaksioneve arrinte në 411 mijë euro, ndërsa 269 mijë euro rezultonin të paguara.

Hetuesit besojnë se këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të qarkullimit real të organizatës.

Paratë fshiheshin edhe në varreza

Pas arrestimit të drejtuesit të grupit të Orias në korrik 2023, përgjimet zbuluan se familjarët kërkonin vende të reja për të fshehur fitimet nga droga.

Në biseda u përmendën gomat e automjeteve, por edhe kamaret e varrezave, si vende ku mund të fshiheshin paratë për t’i shpëtuar sekuestrimit.
Përmes përgjimeve telefonike, përgjimeve ambientale, sekuestrimeve dhe arrestimeve në flagrancë, Antimafia italiane rindërtoi të gjithë zinxhirin e trafikut, nga furnizuesit shqiptarë deri te shpërndarësit në jug të Italisë.

Operacioni “Whisper” konsiderohet faza përfundimtare e hetimit të nisur me dosjen “Ura” dhe konfirmon, sipas autoriteteve italiane, rolin qendror që kishin rrjetet shqiptare në furnizimin me heroinë, kokainë dhe marijuanë të organizatave kriminale që vepronin në jug të Italisë./ Alba Kepi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco