Sektori për kontroll dhe hetime, përmes Njësisë për punë operative, ka parandaluar një tentim për transport të paligjshëm të parave në dorë në shumën prej rreth 500 mijë eurosh, të cilat u gjetën të fshehura në një “bunker” të ndërtuar posaçërisht në një minibus. Ky rast është cilësuar si sekuestrimi më i madh i valutës së huaj në histori, tha drejtori i Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikollovski, në një konferencë për media ku dha detaje për rastin.
Mediat atje raportojnë se paratë dhe automjeti janë konfiskuar përfundimisht, ndërsa personi përgjegjës, një shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet Xh.G., i cili drejtonte minibusin, është ndjekur penalisht dhe për rastin tashmë është dhënë edhe një vendim gjyqësor nga Gjykata Themelore në Kumanovë.
Tentimi është zbuluar gjatë një aksioni të Njësisë për punë operative në hyrje të shtetit, në pikën kufitare të Tabanocit, ku është kryer kontroll i detajuar i një minibusi në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria, me të cilin po udhëtonin shtatë pasagjerë.
Sipas drejtorit, në aksion kanë marrë pjesë një ekip mobil, njësia K9 dhe shërbimi i skanerëve mobilë. Gjatë kontrollit, ekipi mobil ka vërejtur menjëherë ndryshime të dyshimta në strukturën e automjetit, pas së cilës është përdorur një qen policor që ka sinjalizuar për dyshime në të njëjtin vend. Dyshimet janë konfirmuar edhe përmes skanimit të automjetit, pas së cilës inspektorët kanë hapur pjesën e modifikuar dhe kanë gjetur 14 qese plastike transparente me gjithsej 500 mijë euro të fshehura.
Drejtori deklaroi se çdo tentim për transport të paligjshëm ndërkufitar të parave do të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe.
© SYRI.net