Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) ka miratuar kërkesën e Drejtorisë për Transformim të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit lidhur me realizimin e punimeve të infrastrukturës nëntokësore në sheshin “Xhorxh Bush”.
Sipas arsyetimit të IKMM-së, hapësira ku kanë nisur punimet gjendet brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, çka kishte qenë edhe arsyeja pse Inspektorati për Trashëgimi Kulturore kishte ndalur punimet rreth një vit më parë.
KALLXO.com ka siguruar vendimin e plotë të IKMM-së, në të cilin thuhet se Komisioni Profesional Shqyrtues, pas vlerësimit të projektit ideor dhe dokumentacionit të dorëzuar nga Drejtoria për Transformim, ka konstatuar se projekti për realizimin e punimeve nëntokësore është në përputhje me nevojat funksionale dhe teknike të ndërhyrjes së propozuar.
Në vendim thuhet po ashtu se Komuna e Prishtinës obligohet që, për funksionalizimin e kësaj hapësire për qarkullim publik, të parashtrojë projekt-planin final me dizajn dhe materializime adekuate për shtrimin e dyshemesë urbane të rrugës.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe ish-drejtori i Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gezím Kastrati, i cili e ka cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për vazhdimin e projektit.
“Një superlajm për Kryeqytetin drejt zhvillimit të projektit ‘Xhorxh Bush’. Miratohet kërkesa e parashtruar nga Drejtoria për Transformim – Komuna e Prishtinës për pëlqim për punimet e infrastrukturës nëntokësore në sheshin ‘Xhorxh Bush’- ka shkruar Kastrati, të hënën më 18.05.2026.
Ai ka vlerësuar vendimin e Komisionit të IKMM-së dhe të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), duke thënë se institucionet kanë mbajtur një qasje profesionale ndaj projektit.
“Një vendim i shumëpritur dhe konstruktiv i Komisionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, me ç’rast i përgëzoj për qëndrimin profesional ndaj këtij projekti shumë të rëndësishëm për krijimin e hapësirave publike kualitative në dobi të qytetarëve dhe Kryeqytetit”, ka shtuar ai.
Sipas Kastratit, ditë më parë ka arritur edhe një sasi e konsiderueshme e shtresës finale të granitit, ndërsa së shpejti pritet të nisë implementimi i saj në terren.
Ka kaluar plot një vit prej kur kanë rinisur punimet në projektin e sheshit “Xhorxh Bush” nga Komuna e Prishtinës.
Mirëpo, këto punime u ndërprenë disa herë gjatë vitit të kaluar me vendim të Ministrisë së Kulturës, derisa niveli lokal e ai qendror kanë hedhur akuza për abuzim me pushtet e paralajmërime për padi gjyqësore.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) konsideronte se nuk janë marrë pëlqimet e nevojshme për punime në një zonë ku ka monumente të trashëgimisë arkitektonike e kulturore.
Transformimi i rrugës “Xhorxh Bush” në shesh këmbësorësh është shndërruar në “mollë sherri” mes Komunës (të udhëhequr nga LDK) dhe Ministrisë së Kulturës (të drejtuar nga LVV).
Komuna akuzonte Ministrinë se po bllokon projektet në kryeqytet, ndërsa kjo e fundit insiston se ndërhyrjet po bëhen pa respektuar standardet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Komuna e Prishtinës e ka sfiduar ligjërisht vendimin e Inspektoratit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore (IKMM) për ndaljen e këtyre punimeve, duke kërkuar nga gjykata një masë sigurie për shtyrjen e vendimeve të MKRS-së, pasi sipas saj, ndalimi i punimeve po rrezikonte interesin publik dhe po i shkaktonte dëme financiare buxhetit të Komunës.
Ndërsa, për të tretën herë, kërkesa e Komunës ishte hedhur poshtë nga instancat gjyqësore.
© SYRI.net