Ora vendimtare në Kuvend: President apo zgjedhje?

Ora vendimtare në Kuvend: President apo zgjedhje?

23:11, 28/04/2026

Deputetët  po mblidhen një orë para se te perfundoj affati i fundit, kjo eshte një përpjekjen e fundit për ta zgjedhur Presidentin e ri të vendit. Në rast se kjo nuk ndodhë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Seanca e orës 19:00 u shty për në 23:00 nga Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit përfundon në ora 24:00.

Para se ta ndërpriste seancën, Haxhiu i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në seancë.

“Jam e detyruar që edhe këtë seancë ta ndërpresë këtu dhe t’u bëj thirrje që edhe në orën 23:00 të vijmë sërish në seancë. Kërkoj ndjesë për këtë, por po përpiqem maksimalisht që të gjejmë hapësirë edhe brenda këtyre orëve që vendit t’i japim president”, tha Haxhiu.

Kryeministri Albin Kurti doli më pas në konferencë, ku i kërkoi LDK-së një kandidat dhe 15 nënshkrimet, duke thënë se nëse i ofrohen, kandidatja Hatixhe Hoxha tërhiqet nga gara.

“Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për këdo që është. Në atë rast VV i plotëson edhe 15 nënshkrime dhe do sonte le ta zgjedhim presidentin…Asnjë problem nuk e kemi me asnjë kandidat që e sjell LDK. Vetëm të na i sjellin nënshkrimet me datë të sotit dhe emër dhe na pastaj ia plotësojmë”, tha Kurti në konferencën për media.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK’së, Jehona Lushaku-Sadriu,  tha se ftesa e Kurtit ishte vetëm sa për t’ia bërë kuorumin për ta zgjedhur Feride Rushitin.

“I kemi 15 nënshkrime për kandidatin që LDK merr vendim. Abdixhiku ka thënë se mund të jetë Vjosa Osmani. Ajo që kemi dilemë ishte që ftesa ishte për me ba një kandidate e dytë që me iu mundësu kandidates së VV’së me u zgjedh. 15 nënshkrimet tona shkojnë për kandidatin që LDK mund ta kandidojë, e jo si kandidate e dytë”, ka deklaruar Lushaku Sadriu.

Lushaku tha se Kurti po tenton të krijojë përshtypje që ka ende hapësirë për marrëveshje.

“Nuk ia ka dhanë populli me pas Presidentin. S’mundet me pas krejt shtetin e Kosovës.Katër muaj ka pas kohë, kemi dhënë gjithcka. Këto janë drama të momenteve të fundit, për me kriju përshtypje që ka ende hapësirë. A i jep ai 66 vota për kandidaten/kandidatin e LDK’së, kjo është pyetja?”, ka deklaruar ajo.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit ka nisur mbrëmë, ku u bë edhe një votim jokushtetues, me veç 64 deputetë në sallë.

63 vota ishin për kandidaten Feride Rushiti, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.

Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.

Votimi për president bëhet me votim të fshehtë.

Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.

Sonte në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Në rast se nuk zgjedhet Presidenti, vendi shkon në zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco