Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur kryesinë e saj pas zhvillimeve të fundit rreth zgjedhjes së Presidentit.
Kryesia e kësaj partie ka kundërshtuar përpjekjet për zgjedhjen e presidentit pa respektimin e procedurave kushtetuese dhe pa sigurimin e kuorumit të nevojshëm.
PDK ka vlerësuar se një veprim i tillë përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe rrezikon stabilitetin institucional të vendi.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën.
“Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë”, u shpreh Hamza.
Sipas PDK-së, shteti i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë dhe çdo përpjekje për të interpretuar Kushtetutën sipas interesave të momentit politik përbën rrezik për themelet demokratike të vendit.
“Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas interesave të ngushta ditore politike dhe çdo devijim nga këto parime krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit”, thuhet në reagim.
Në përfundim, PDK është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet politike dhe institucionale që i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e rendit kushtetues.
“Do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit”, thuhet në deklaratën e partisë më të madhe opozitare.
© SYRI.net