Konjufca: Përmes Presidentit, opozita po dëshiron ta rrëzojë Qeverinë Kurti

Konjufca: Përmes Presidentit, opozita po dëshiron ta rrëzojë Qeverinë Kurti

19:17, 27/04/2026

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se opozita po tenton të rrëzojë Qeverinë përmes çështjes së presidentit, duke pamundësuar krijimin e kuorumit në Kuvend.

Sipas tij, situata aktuale është vazhdim i tri krizave politike që, që nga viti 2019, kanë pasur si thelb përpjekjen për të mos pranuar rezultatin zgjedhor dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve.

Konjufca tha se kriza e parë ka ndodhur në vitin 2020, kur LDK u largua nga koalicioni me Vetëvendosjen dhe në bashkëpunim me PDK u rrëzua Qeveria Kurti 1.

Kriza e dytë, sipas tij, lidhet me bllokadën politike gjatë vitit 2025, kur tri subjektet kryesore opozitare u bashkuan për të pamundësuar formimin e qeverisë, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërsa kriza e tretë, siç tha ai, është aktualja, ku opozita po përdor çështjen e zgjedhjes së presidentit për të bllokuar punën e Kuvendit përmes mungesës së kuorumit.

“Qëllimi është i njëjtë në të tri rastet, ndonëse me metoda të ndryshme: mospranimi i rezultatit zgjedhor dhe tentimi për ta ndryshuar atë përmes mjeteve politike”, u shpreh Konjufca.

Ai theksoi se politika duhet të ruajë integritetin dhe respektin ndaj vullnetit të qytetarëve, duke shtuar se mandatet e fituara në zgjedhje duhet të respektohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco