Një tjetër figurë largohet, Dren Dushi jep dorëheqje dhe ngre akuza të forta për brendinë e partisë

Një tjetër figurë largohet, Dren Dushi jep dorëheqje dhe ngre akuza të forta për brendinë e partisë

14:09, 27/04/2026

Një tjetër zhvillim i fortë ka goditur Partinë GUXO. Pas largimeve të fundit të figurave të njohura si Haxhi Avdyli dhe Viktor Buzhala, tani edhe Dren Dushi ka njoftuar dorëheqjen nga çdo aktivitet politik brenda kësaj partie.

Dushi, i cili mbante pozita të rëndësishme si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë në degën e Prishtinës, e ka bërë publik vendimin përmes një reagimi në rrjetin social X. Ai e cilëson GUXO-n si një projekt që solli ndryshime të mëdha në vitin 2021, duke sfiduar establishmentin e vjetër politik.

Megjithatë, në deklarimin e tij ai shpreh zhgënjim të thellë për drejtimin që ka marrë partia. Sipas tij, brenda saj ka pasur rrëshqitje nga parimet demokratike dhe një ngushtim të hapësirës për mendim ndryshe. Ai përmend ndikimin e interesave personale dhe krijimin e grupeve të mbyllura rreth lidershipit, që sipas tij kanë dëmtuar frymën demokratike.

Dushi thekson se vendimi nuk ka qenë i lehtë, por i domosdoshëm në një kohë kur, sipas tij, mungon respekti dhe mundësia për veprim serioz politik brenda partisë. Ai gjithashtu vë në dukje se dorëheqjet e shumta të fundit kanë dobësuar debatet e brendshme dhe vendimmarrjen.

Në fund, ai falënderon bashkëpunëtorët e tij në GUXO dhe shpreh shpresën që ata që mbeten të arrijnë ta rikthejnë partinë në rrugën e parimeve demokratike.

Kjo dorëheqje shihet si një tjetër goditje për GUXO-n, e cila në javët e fundit po përballet me një valë largimesh nga figura të rëndësishme, duke ngritur pikëpyetje serioze për stabilitetin dhe drejtimin e saj në të ardhmen.

Image
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco