Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë janë diskutuar zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë situata rreth zgjedhjes së Presidentit dhe nevoja për të shmangur një krizë institucionale.
Në një reagim publik, subjekti në pushtet vlerëson se vendi rrezikon të përballet me pasoja të mëdha nëse shkohet drejt një procesi të ri zgjedhor, të cilin e cilëson si të panevojshëm dhe të përsëritur. Sipas tyre, tashmë janë ndërmarrë disa hapa konkretë për të gjetur një zgjidhje, por përpjekjet e deritanishme nuk kanë marrë mbështetje nga partitë opozitare.
Në këtë kontekst, Vetëvendosje ka dalë me një propozim të ri, të cilin e konsideron si përbashkues. Partia i ka PDK-ne dhe LDK-ne që të propozojnë së bashku tre kandidatë për postin e Presidentit.
Sipas këtij propozimi, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar profesional dhe shoqëror, si dhe jashtë skenës aktuale politike. Vetëvendosje thekson se për këta emra do të siguroheshin të paktën 90 nënshkrime të deputetëve në Kuvend.
Po ashtu, në rast të arritjes së këtij kompromisi, do të tërhiqeshin nga kandidatura Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të cilët aktualisht janë përmendur si emra potencialë për këtë post.
Në fund të reagimit, Vetëvendosje ka theksuar urgjencën e situatës, duke kërkuar përgjigje nga opozita deri të dielën në mbrëmje, për shkak të afateve kushtetuese. Sipas tyre, një zgjidhje është e mundshme dhe kërkon angazhim të përbashkët në funksion të interesit shtetëror dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
© SYRI.net