Derisa po merrte pjesë në përurimin e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Kryeministri Albin Kurti është pyetur për deklaratën e deputetit të grupit parlamentar të VV-së, Fatos Geci dje në Kuvend, gjë për të cilën ai tha se shefja e grupit është distancuar menjëherë.
Ai tha se se janë të bindur për pafajësinë e katër ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Distancimi ka ndodh nga kryetarja e grupit parlamentar të VV-së. Ju e dini qëndrimin tonë sa i përket Gjykatës Speciale e cila është një Gjykatë jonormale dhe jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte UÇK dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu i ka tërhequr vërejtjen edhe dje Gecit për gjuhën dhe komentin e bërë.
“Në anën tjetër, ju ishit dëshmitarë që kryetarja e Kuvendit që njëkohësisht është edhe u.d e Presidentes, Albulena Haxhiu i tërhoqi vërejtjen, ja ndërpreu fjalën edhe për shkak të gjuhës edhe për shkak të komentit që bëri”, ka shtuar Kurti.
“Unë jam vetëm Kryetar i VV-së dhe Kryeministër, nuk jam edhe kryetar i ndonjë komisioni disiplinor, aq më pak për dikë që i përket një partie tjetër”, shtoi kryeministri.
Në seancën e jashtëzakonshme dje për çmimin dhe faturimin e rrymës, deputeti i grupit parlamentar të VV-së, Fatos Geci përmendi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, duke shtuar se fati i njëjti do ta përcjell edhe Hashim Thaçin në Hagë.
© SYRI.net