Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se do të kompensohen të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike, përkatësisht nga problemet e mundshme me njehsorët elektrikë në Kosovë.
Përveç konsumatorëve, njehsorët e të cilëve janë verifikuar se kanë pasur pasaktësi, edhe konsumatorët e tjerë që dyshojnë se mund të jenë prekur nga këto pasaktësi kanë të drejtë të paraqesin ankesë, thanë për Radion Evropa e Lirë nga ky rregullator.
Në rast se vërtetohet se janë dëmtuar, konsumatorët do të kompensohen.
“Fillimisht, konsumatorët ankesat mund t’i paraqesin në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit [MINT], pastaj te Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike [KEDS]. Nëse nuk pajtohen me përgjigjet e tyre, ankesa mund të drejtohet në ZRRE”, thanë nga rregullatori.
Çështja e njehsorëve është ngritur disa javë më herët – pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre, rreth 2 mijë mostra në total, për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.
Nga inspektimet në terren, pas shqetësimeve të ngritura për pasaktësi në njehsorë, MINTI ka bërë të ditur se njehsorët e verifikuar kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë dhe pasaktësi në datë dhe orë.
Megjithatë, sipas kësaj ministrie, matjet e energjisë elektrike kanë rezultuar të jenë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar.
Madje, sipas ZRRE-së, një numër i vogël i konsumatorëve mund të përfitojnë nga kompensimi, pasi pa vetëdije ata kanë përfituar tarifa të ulëta gjatë ditës.
© SYRI.net