Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka deklaruar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se sektori i energjisë në Kosovë vazhdon të mbetet ndër më të cenueshmit ndër vite.
Ajo theksoi se Kosova nuk arrin të plotësojë nevojat e saj energjetike dhe mbetet e varur nga furnizimi i jashtëm, i cili, sipas saj, ndryshon shpejt në varësi të zhvillimeve globale.
Duke folur para deputetëve, Statovci u shpreh se problemet në këtë sektor janë të hershme dhe sistemike, duke rikujtuar se diskutimet për energjinë kanë nisur që nga viti 2005. Sipas saj, projektet për zhvillimin e këtij sektori kanë dështuar për arsye të paqarta, ndërsa institucionet kanë funksionuar pa auditim të duhur.
Ajo përmendi edhe shifra konkrete, duke theksuar se nga viti 2007 deri në vitin 2017, KEK-u ka zhvilluar mbi 10 mijë aktivitete të prokurimit publik në vlerë prej 1.3 miliardë euro, pa rritur kapacitetet prodhuese të energjisë.
Statovci shtoi se një numër i kufizuar kompanish kanë përfituar tenderë milionësh gjatë kësaj periudhe, ndërsa investimet në rritjen e prodhimit kanë munguar.
Madje, sipas saj, janë lidhur edhe kontrata të diskutueshme për eksportin e energjisë nga asetet vendore drejt kompanive të huaja.
Në fund, ajo akuzoi opozitën se ka “siklet”, pasi, sipas saj, tashmë nuk kanë mundësi të keqpërdorin me KEK-un si në të kaluarën.
© SYRI.net