Teksa në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se çmimi i rrymës në Kosovë mbetet më i ulëti në rajon.
Ajo ndër të tjera krahasoi çmimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera në rajon.
“Duke qenë që kaq shumë flitet për çmimin e energjisë elektrike, dua ta them edhe një fakt.
Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mbetet më i ulëti në rajon. Gjatë vitit 2025 ka qenë mesatarisht 8.17 centë për kW, ndërsa në Shqipëri ka qenë 11.6 centë”, u shpreh ministrja.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka deklaruar se fusha e energjisë elektrike në Kosovë është në gjendje të jashtëzakonshme dhe të rënduar.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet dhe faturimin e rrymës për konsumatorët, Shala tha se qytetarët po e paguajnë një taksë jomeritore.
“Grupi Parlamentar i PDK-së ka thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth situatës së përgjithshme energjetike. Kemi përcjell në vazhdimësi si GP, gjithë situatën e këtij vendi të energjisë, kemi përcjell mënyrën e menaxhimit dhe shkallën e investimeve në këtë sektor, kemi përcjell dhe nxjerr rezultate profesionale të mbështetura në raporte zyrtare. Tashmë kemi ardhur në përfundim jo vetëm ne si Grup Parlamentar, por edhe shoqëria civile dhe opozita në tërësi që qytetarët po e paguajnë një taksë jomeritore, dhe se sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme të rënduar në çdo dimension”, tha Shala.
Ndër të tjera, ai shtoi se shteti ynë është i varur nga importi, teksa përmendi edhe aferat me energji elektrike si dhe aktakuzat e ngritura.
Kryekuvendarja Albulena Haxhiu ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme të thirrur për çmimin e rrymës.
“Çmimi dhe faturimi i energjisë elektrike për konsumatorët”, është pika e vetme e seancës.
42 deputetë kanë parashtruar kërkesë për mbajtjen e saj
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme plenare ku do të shqyrtojë çmimin dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët.
Para seancës, deputetja e LDK-së Janina Imeri është parë teksa konsultohet me deputetin e PDK-së, Ferat Shala.
Ora 11:15, mirëpo deputetët ende s’kanë arritur me kohë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se në zgjedhjet e reja kjo parti garon e vetme, derisa shtoi se kandidat për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, aktualisht kryetar i Gjakovës.
Ai tha se Gjini ka çka i ofron vendit, ndërsa theksoi ofertën serioze të këtij subjekti politik.
“Mandatar i AAK-së është kryetari i Gjakovës, por edhe kandidat për kryetar të partisë. Do të jem pjesë e listës. Ardiani ka çka i ofron Kosovës, është një ofertë serioze e Aleancës”, deklaroi Haradinaj para fillimit të seancës së sotme të Kuvendit.
“Shkojmë vetëm në zgjedhje”.
Kreu i Aleancës pati edhe një përgjigje për zërat që thonë se kjo parti nuk do të arrijë ta kalojë pragun nëse Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Të gjitha partitë politike janë të gatshme për zgjedhje, edhe ne jemi. Kemi ofertë serioze, një mandatar që ka dëshmuar që është i aftë në qeverisje. Është shkollë e politikës në Kosovë. Falënderoj të gjithë ata që na e mbajnë dertin neve, ne ia mbajmë dertin Kosovës, nuk do të ketë shqetësim për pragun, e kalojmë me siguri”, theksoi ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij lidhur me bisedimet për çështjen e presidentit.
Ai ka thënë se ofertat e tij për partitë opozitare janë mashtrime dhe kalkulime elektorale.
Haradinaj ka thënë se AAK-ja nuk e konsideron të mbyllur çështjen e presidentit, por ka shtuar se atë e ka mbyllur vet Kurti me qasjen që ka aplikuar, pasi sipas tij, ai ka pasur opsione për të gjetur zgjidhje.
“Këto janë veç kalkulime, kamoflazh dhe mashtrim i pastër. Nuk ka ofertë, këto nuk janë oferta, këto janë me harxhu fjalë derisa të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se sipas kalendarit dhe afateve kushtetuese 7 qershori mund të jetë data e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Haradinaj ka thënë se kandidat i AAK-së për kryeministër do të jetë Ardian Gjini, kryetar aktual i komunës së Gjakovës.
“Do të jem pjesë e listës dhe AAK-ja do të ketë një ofertë serioze. Do të garojmë vet në zgjedhje.”, ka shtuar ai.
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, më 21 prill 2026, seancë të jashtëzakonshme plenare. Seanca do të zhvillohet nga ora 11:00.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në rendin e ditës është shqyrtimi i çmimit dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave Kuvendi do të mbajë tri seanca plenare.
Njëra prej tyre do të jetë solemne dhe do t’i kushtohet ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, i cili ka ndërruar jetë më 10 prill.
Dy seancat e tjera do të jenë të rregullta, me shumë pika në rend dite, përfshirë shqyrtimin e projektligjeve dhe votimin e bordeve.
© SYRI.net