Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se është duke monitoruar në vazhdimësi situatën pas shqetësimeve të ngritura nga konsumatorët lidhur me devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, në bashkëpunim me akterët relevantë do të ndërmerren veprime konkrete për të parandaluar çdo dëm të mundshëm ndaj konsumatorëve dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe transparent të matjes së energjisë elektrike.
“ZRRE siguron të gjithë konsumatorët se, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë akterët relevantë, do të ndërmerren veprime konkrete me qëllim që të parandalohet çdo dëm i mundshëm ndaj konsumatorëve dhe të garantohet një proces i drejtë dhe transparent i matjes së energjisë elektrike,” thuhet në njoftim.
Institucioni rregullator bën të ditur se në rastet e raportuara për devijim të orëve tarifore ka ndërmarrë veprime konform legjislacionit në fuqi, përfshirë kërkesat për zëvendësimin e njehsorëve elektrikë dhe marrjen e masave për korrigjime financiare bazuar në vlerësimet teknike.
“Është e rëndësishme të theksohet se në shumicën e rasteve të dërguara për verifikim është konstatuar se matja e energjisë ka qenë e saktë, ndërsa pasaktësitë kanë qenë kryesisht të natyrës së devijimit të kohës tarifore,” thekson ZRRE.
Megjithatë, sipas këtij institucioni, në pjesën më të madhe të rasteve korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por çdo rast do të trajtohet me seriozitet.
ZRRE rikujton gjithashtu se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara që operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi, ndërsa të hyrat e tyre përcaktohen nga vetë ZRRE.
“Gjithashtu, kjo e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike. Gabimet eventuale, nëse ndodhin, mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht,” thuhet më tej në reagim.
ZRRE paralajmëron se çdo moszbatim i detyrimeve nga operatorët do të trajtohet në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, duke shtuar se mbetet e përkushtuar për transparencë, përgjegjësi dhe trajtim të drejtë të çdo ankese të konsumatorëve
© SYRI.net