Ardian Gjini nuk është më kryetar i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. Në këtë pozitë nga sot është zgjedhur Flamur Fetahaj. Njoftimin e ka dhënë kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj.
Ky i fundit ka shprehur mirënjohje ndaj kryetarit të deritanishëm të Degës, Ardian Gjini, dhe strukturave që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar që AAK-ja të jetë forca e parë politike në Gjakovë.
Fetahaj aktualisht është edhe nënkryetar i komunës së Gjakovës.
Postimi i tij:
Gjakova e dijes, kulturës dhe atdhedashurisë, për shumë mandate ia besoi Aleancës udhëheqjen me komunën. Nën drejtimin e kryetarit Ardian Gjini, një prej më të vlerësuarve në qeverisje lokale, Gjakova ka fituar dinjitetin e një qyteti që zhvillohet me punë, me përkushtim dhe me rezultate konkrete. Investimet e shumta, projektet transformuese dhe qasja e drejtë ndaj çdo qytetari e kanë kthyer këtë qytet në një model të mirëqeverisjes lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kjo mbështetje e fuqishme dhe vendosmëria për të vazhduar rrugën e zhvillimit u konfirmuan edhe sot, në Kuvendin Zgjedhor të X-të të Degës, ku u zgjodhën strukturat e reja drejtuese.
Përgëzoj për zgjedhjen si kryetar i Degës, Flamur Fetahajn, aktualisht nënkryetar i komunës, një kuadër i dëshmuar dhe i përkushtuar, i cili shquhet për angazhimin dhe shërbimin e tij ndaj qytetarëve të Gjakovës.
Mirënjohje ndaj kryetarit të deritanishëm të Degës, Ardian Gjini dhe strukturave që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar që Aleanca të jetë forca e parë politike në Gjakovë.
Kryetarit të sapozgjedhur, Flamur Fetahaj, si dhe të gjitha strukturave të reja të zgjedhura nga ky Kuvend, ju uroj mbarëvajtje dhe suksese në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të marra.
© SYRI.net