Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së Kryeministrit Albin Kurti, ku bie në sy një rënie e ndjeshme e kursimeve dhe rritja e shpenzimeve mujore.
Sipas të dhënave, Kurti ka deklaruar vetëm 16.41 centë para të gatshme në emër të tij, një shumë shumë më e ulët krahasuar me rreth 1800 euro që kishte deklaruar vitin e kaluar.
Në anën tjetër, bashkëshortja e tij ka të deklaruara 19 mijë e 500 euro, të ardhura nga paga dhe trashëgimia, ndërsa vajza ka 2 mijë euro kursime dhe 50 euro shtesë nga familjarët.
Sa i përket pasurisë së paluajtshme, nuk ka ndryshime. Është deklaruar banesa në emër të bashkëshortes, me vlerë rreth 530 mijë euro.
Ndërkohë, është rritur edhe qiraja e banesës ku jeton familja. Nga 250 euro sa paguhej më parë, tani është 350 euro në muaj.
Në listën e detyrimeve figuron kredia e bashkëshortes, me vlerë të mbetur prej 160 mijë euro.
Të hyrat vjetore të Kurtit janë 21 mijë e 315 euro nga paga si kryeministër, ndërsa bashkëshortja ka realizuar 51 mijë euro të ardhura.
Deklarimi i fundit ka nxitur reagime, sidomos për shumën simbolike të kursimeve në emër të kryeministrit, që ka tërhequr vëmendje të madhe në publik.
© SYRI.net