Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, për FrontOnline ka deklaruar se Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision stabilizues në Gaza, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për vendin.
“Ne në komision miratuam vendimin e Qeverisë për dërgimin e FSK-së në misionin të parin të këtij lloji në Gaza, për operacione stabilizuese dhe është zhvillim jashtëzakonisht i mirë edhe për FSK-në edhe për shtetin e Kosovës, për shkak se ne nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë, por edhe kontribues të saj me aleatët tanë”, ka deklaruar Dugolli.
Ai ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me SHBA-në kemi punuar gjatë si rezultat i miratimit të saj për Gaza dhe ne jemi përgatitur, kemi bërë të gjitha hapat e nevojshëm. FSK ka trajnuar e po trajnon personel që janë të gatshëm që t’i bashkohen aleatëve në këtë mision”, është shprehur ai për FrontOnline.
Dugolli ka siguruar se pjesëtarët e FSK-së do të kenë mbështetjen e plotë institucionale gjatë këtij angazhimi.
“Sigurimet do të jenë konform praktikave që ushtritë e botës i bëjnë, ne kemi marrë praktika nga SHBA se si i sigurojnë ata pjesëtarët e saj, edhe ne do t’i sigurojmë pjesëtarët tanë”, ka theksuar ai.
Në fund, ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të mbulojë të gjitha aspektet e nevojshme për këtë mision.
“Qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë prapa atyre edhe me sigurime shëndetësore por edhe jetësore dhe sigurimeve tjera për pajisje, akomodim dhe ushqim dhe qeveria e Kosovës i mbulon në kuadër të standardeve”, tha Dugolli.
© SYRI.net