MPJD: Mbi 960 qytetarë të Kosovës në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

MPJD: Mbi 960 qytetarë të Kosovës në Lindje të Mesme, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore

15:33, 02/03/2026

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se përmes misioneve diplomatike është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Kosovës që ndodhen në vendet e Lindjes së Mesme, me qëllim përcjelljen e gjendjes së tyre dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme.

 

Sipas të dhënave të fundit, në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Arabia Saudite 331 qytetarë, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë të regjistruar deri më sot. Në Katar janë 75 qytetarë, në Kuvajt rreth 60, në Bahrein 4 dhe në Oman 2 qytetarë.

 

Sipas informacioneve nga përfaqësitë diplomatike, të gjithë qytetarët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Ministria bën të ditur se është duke punuar në koordinim me autoritetet e vendeve përkatëse për të siguruar opsione të përshtatshme evakuimi, nëse paraqitet nevoja. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Emirateve ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur. Aktualisht ka edhe disa mundësi fluturimi nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xheda drejt Prishtinës.

 

Megjithatë, autoritetet vendore në rajon rekomandojnë që të mos ndërmerren udhëtime deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Çdo udhëtim në këto rrethana bëhet me përgjegjësi individuale.

 

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mbajnë kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike.

 

Për raste urgjente, qytetarët mund të kontaktojnë ambasadat e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Izrael, Arabinë Saudite dhe Katar.

 

MPJD thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari dhe do të informojë rregullisht për çdo zhvillim të ri.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco