Kanalet pro-ruse dhe pro-serbe në Telegram po vazhdojnë të ndërtojnë analogji të rreme mes Kosovës dhe rastit të Grenlandës, pas synimit të SHBA-së për të blerë këtë territor autonom të Danimarkës. Këto narracione po përdoren si instrument propagandistik për të relativizuar shtetësinë e Kosovës dhe për të ushqyer ndjenjat nacionaliste te audienca serbe, transmeton Sbunker.
Një nga shembujt është kanali “Bunt je stanje duha” që targeton drejtpërdrejt komunitetin serb në Kosovë e i cili, sipas monitorimeve, e përdor Telegramin si burim kryesor informimi. Ky kanal ka shpërndarë një imazh manipulues të Grenlandës së mbuluar me akull, por me hartën e Kosovës të vendosur mbi të. Postimi shoqërohej me një citat që i atribuohet Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me përshkrimin se SHBA-ja mund ta blejë Grenlandën, ashtu sikurse Rusia e ka shitur Alaskën.
“Putin beson se Shtetet e Bashkuara do të mund ‘mund të përballonin’ blerjen e Grenlandës nëse ajo do të shitej me çmime të krahasueshme me ato me të cilat Rusia e shiti Alaskën”, shkruan në postim.
Qëllimi i këtyre postimeve nuk është informimi, por ndezja e emocioneve. Në komentet e shpërndara në Telegram shihet qartë se si nxiten ndjenjat nacionaliste. Një komentues shkruan: “Grenlanda është zemra e Amerikës” – formulim ky që imiton shprehjen propagandistike “Kosova është zemra e Serbisë”. Edhe në postime të tjera nëpër platforma të ndryshme tentohet të promovohet kjo narrativë duke përfshirë referenca mitike si Princi Lazar.
“Mendoni se Grenlanda është larg ‘Kosovës’, dhe ‘Kosova’ do të arrijë në Grenlandë nesër (sot)…ose që vëllezërit danezë që ishin të parët të cilët e njohën pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë i kuptojnë më mirë fjalët e Princit Lazar: Duke u frikësuar, se Grenlanda është larg nga Kosova, unë do të shkoj në Grenlandë. Kosova është Zemra e Serbisë!”, shkruan në artikull. Aty pretendohet rrejshëm se Danimarka është shteti i parë që e ka njohur Kosovën. Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së saj. Ndërkaq Danimarka ia njohu shtetësinë Kosovës më 24 shkurt të atij viti.
Postime me hartën e ngjashme të manipuluar u shpërndanë edhe në profile të ndryshme në “Facebook” dhe “X”.
Krahasimi që bëhet është thellësisht i rremë dhe manipulues. Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe çdo diskutim për statusin e saj zhvillohet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe me vullnetin e popullsisë lokale. Në anën tjetër, Kosova është shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtete, pas një procesi të gjatë politik dhe juridik, ku ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).
Raportime të tilla janë tipike për rastet nga pjesë tjera të botës që keqpërdoren qoftë edhe në mënyrë simbolike për të ringjallur narrativa të vjetra politike. Kanalet pro-ruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë rastin e Grenlandës për të përforcuar idenë se kufijtë dhe sovraniteti janë të përkohshëm, duke synuar të minojnë legjitimitetin e shtetit të Kosovës dhe të ushqejnë frikë, mllef dhe radikalizëm te audienca e tyre.
Përmes dezinformimit të qëllimshëm, fotografitë, citatet dhe analogjitë përdoren për të manipuluar perceptimin publik.
Nga Ukraina te NATO, nga zgjerimi i BE-së te konfliktet e reja globale, Kosova shfaqet vazhdimisht si “argument” propagandistik edhe në deklaratat e zyrtarëve rusë.
Para disa javësh zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e interpretoi deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, në mbështetje të sovranitetit të Danimarkës mbi Grenlandën, si një “refuzim të BE-së për të njohur pavarësinë e Kosovës”.
Kjo lidhje e ndërtuar artificialisht është jo vetëm e paqëndrueshme politikisht dhe juridikisht, por përbën edhe një shembull tipik të manipulimit narrativ rus- marrja e një deklarate të përgjithshme mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe shndërrimi i saj në gjoja “provë” të dyfishtë standardesh.
© SYRI.net