Një ngarkesë me kafe të bluar nga Kosova është ndaluar në kufi nga autoritetet e Kroacisë, për shkak të dyshimeve për nivel të lartë të akrilamidit. Njoftimi është bërë më 30 dhjetor 2025 dhe është validuar nga Komisioni Evropian, më saktë nga Rapid Alert System for Food and Feed (RASFF)/Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF).
Sipas njoftimit zyrtar me referencë 2025.10458, bëhet fjalë për një alarm ushqimor të llojit “refuzim në kufi”. Ngarkesa është ndaluar gjatë kontrollit kufitar dhe është klasifikuar si rrezik potencialisht serioz, raporton Syri.net Kosova
Produkti i ndaluar është kafe e bluar, pjesë e kategorisë kafe dhe çaj. Analizat laboratorike kanë treguar se niveli i akrilamidit ka arritur në 746.3 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 400 mikrogramë për kilogram.
Autoritetet kroate kanë marrë masën e shkatërrimit të produktit. Nuk raportohet për persona të prekur apo simptoma shëndetësore, ndërsa rreziku është vlerësuar në bazë të analizave laboratorike.
Në njoftim thuhet se Kosova është vendi i origjinës, ndërsa Kroacia është vendi njoftues dhe ai ku është ndërmarrë masa. Deri tani nuk ka ndonjë veprim shtesë apo ndjekje tjetër për këtë rast.
Ky rast është shënuar si i vetëm dhe aktualisht nuk ka njoftime të tjera të lidhura me të.


Pas publikimit të njoftimit zyrtar nga Kroacia lidhur me një ngarkesë kafeje nga Kosova, kompania Prince Caffe ka reaguar duke theksuar se po përballet me një keqinterpretim dhe keqpërdorim të qëllimshëm të këtij informacioni.
Sipas njoftimit me referencë 2025.10458, autoritetet kroate kanë ndaluar në kufi një sasi kafeje të bluar, për shkak të dyshimit për nivel të rritur të akrilamidit. Rasti është klasifikuar si refuzim në kufi dhe produkti është shkatërruar, pa u futur në treg dhe pa pasoja për konsumatorët.
Prince Caffe sqaron se ky njoftim nuk përbën skandal ushqimor dhe nuk dëshmon rrezik për shëndetin publik. Sipas kompanisë, bëhet fjalë për një procedurë standarde kufitare, e cila po paraqitet në mënyrë tendencioze për të dëmtuar imazhin e brendit.
“Ky rast po përdoret dhe po fryhet qëllimshëm nga qarqe të caktuara, për të krijuar panik dhe për të njollosur një emër që prej vitesh operon me standarde të larta ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Prince Caffe thekson se produktet e saj janë të certifikuara dhe eksportohen në shumë vende evropiane dhe në SHBA, përmes bashkëpunimeve me brende të mëdha si Amazon, Lidl, Shell, Interspar dhe të tjerë.
Kompania përsërit se nuk është hera e parë që përballet me fushata të tilla dhe se do të vazhdojë të veprojë me transparencë, respektim të ligjit dhe kontroll të rreptë të cilësisë, duke u bërë thirrje mediave që të raportojnë saktë dhe pa sensacionalizëm.
© SYRI.net