Policia e Kosovës pas mbylljes së votimeve ka vlerësuar se procesi ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.
Sipas njoftimit, zbatimi i planit operativ policor, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar pozitivisht që procesi i votimit të zhvillohet pa ndonjë incident madhor që do të pengonte apo cenonte procesin zgjedhor. Në aspektin e sigurisë, Policia e Kosovës vlerëson se zgjedhjet janë zhvilluar në një ambient të qetë dhe të sigurt.
Një ndër qëllimet kryesore të planit policor ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votim, si dhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale, në koordinim me organet e drejtësisë, ndaj personave që cenojnë procesin zgjedhor.
Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithsej pesë raste penale, të cilat përfshijnë veprat penale: “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, “Pengim i procesit të votimit” dhe “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”. Personat e përfshirë në këto raste, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu, gjatë ditës janë trajtuar 30 informata, prej të cilave në pesë raste janë evidentuar me shënim zyrtar. Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar dhe iniciuar edhe raste të tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.
Policia e Kosovës thekson se ka trajtuar çdo informacion që ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, duke vepruar në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka vlerësuar se aktivitetet policore janë realizuar me sukses sipas planifikimeve operative, falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe kulturës së lartë qytetare të treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilëve u ka shprehur falënderim.
© SYRI.net