Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Prishtinë. Nga kryeqyteti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se me qeverisjen e tyre territorit ia shtuan integritetin, institucioneve ua kthyen besimin, shtetit ia shtuan sovranitetin.
Ai tha se nga 1 janari paga minimale do të bëhet 425 euro e nga 1 korriku 500 euro e që tha se gratë kudo që do të punësohen në sektorin privat do ta marrin pagën minimale për 6 muaj, njëtë sikurse tha se do ta marrin edhe nënat lehona, 6 muaj nga 500 euro.
Premtoi dyfishim të shtesave për fëmijë, ndërsa tha se do t’i ndajnë 1 miliard euro për prodhimtarinë. Sipas tij, shteti do të jetë garanci, hipotekë për investimet të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës.
Ai tha se 1 miliard euro do të jenë edhe për ushtrinë. “E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e çizmeve në tokë, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell. Kemi 3 lloj dronësh e droni i katërt do të jetë Made in Kosova, prodhuar në vendin tonë. Ata para nesh i shitnin fabrikat për skrap e me ne do të kemi edhe fabrikë të municionit për ushtrinë tonë”, deklaroi Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër tha se me të në krye të qeverisë, asnjë vit nuk do të ngelet më pak se 1 miliard për investime kapitale.
Kurti premtoi rritje të buxhetit për barna esenciale, kontroll të plotë shëndetësor për të gjithë qytetarët. Ndërkohë tha se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i energjisë. “Do ta modernizojmë Termocentralin Kosova B e do ta rehabilitojmë Termocentralin Kosova A”, derisa premtoi edhe investime në Trepçë.
Kreu i Vetëvendosjes tha se do të krijohet Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
© SYRI.net