Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur më 24 dhjetor 2025 në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar, njofton Policia e Kosovës.
Në këtë aksident janë përfshirë një veturë civile dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.
Sipas raportit policor, në aksident kanë pësuar lëndime tre persona nga automjeti civil dhe dy zyrtarë policorë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e stafit shëndetësor.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug. Po ashtu, në vendin e aksidentit kanë intervenuar zjarrfikësit dhe stafi mjekësor emergjent nga Mitrovica e Jugut.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Njoftimi i policisë
Aksident trafiku me të lënduar në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq
Mitrovicë Veri , 24.12.2025
Me datë 24.12.2025, rreth orës 09:23, Policia e Kosovës është informuar për një aksident trafiku në rrugën nacionale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht në fshatin Rudar.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Jug, për arsye se thirrja telefonike kishte kaluar në drejtorinë e tyre. Të njëjtit i janë përgjigjur thirrjes, ku në atë lokacion kanë dalë gjithashtu njësitë e zjarrfikësve si dhe stafi mjekësor emergjent nga qyteti i Mitrovicës së Jugut.
Më pas, për shkak se kjo zonë i përket zonës së përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor Mitrovicë Veri, stafi mjekësor dhe zjarrfikësit nga zona e përgjegjësisë së Mitrovicës së Veriut.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës.
Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar pesë (5) persona, tre (3) nga automjeti civil dhe dy (2) zyrtarë policorë, të cilët janë duke pranuar trajtim mjekësor.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve dhe të respektojnë rregullat e trafikut.
© SYRI.net