BE nis heqjen e masave ndaj Kosovës / Vlerësohet roli kyç i Vjosa Osmanit në Bruksel

BE nis heqjen e masave ndaj Kosovës / Vlerësohet roli kyç i Vjosa Osmanit në Bruksel

20:50, 20/12/2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se Bashkimi Evropian ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, një zhvillim që është pritur pozitivisht në vend, pas një periudhe të gjatë kufizimesh politike dhe financiare.

“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë dhe punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi”, tha Osmani pas takimit me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), Antonio Costa.

Analistë dhe përfaqësues politikë vlerësojnë se roli i presidentes Osmani ka qenë kyç në procesin diplomatik në Bruksel, duke e cilësuar angazhimin e saj si faktor vendimtar në bindjen e BE-së për largimin e masave ndaj Kosovës.

Gacaferi: Masat ishin të padrejta, u hoqën, por sovraniteti i Kosovës mbeti i paprekur

Luan Gacaferi nga Partia Guxo thotë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës ishin që në fillim të padrejta dhe të pamerituara.

“Masat ndëshkuese për Kosovën ishin që nga fillimi të padrejta, të pamerituara dhe ishin më shumë si masë ndëshkuese pse z. Kurti e prishi status quo-në në veri pa marrë leje nga askush. Por, sidoqoftë, më mirë që u hoqën vonë se kurrë!”, shprehet Gacaferi.

Sipas tij, merita kryesore për largimin e masave i takon presidentes së vendit.

“Se heqja e masave ndëshkuese për Kosovën është meritë e zonjës presidente Vjosa Osmani, kjo nuk besoj që duhet diskutuar. Pra, zonja presidente i ka meritat kolosale në largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës!”, thekson ai.

Gacaferi shton se edhe qeveria ka luajtur rolin e saj në këtë proces.

“Sigurisht që nuk duhet harruar se edhe kryeministri në detyrë dhe ministrat e tij, në çdo takim me zyrtarët e BE-së, kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën sa më shpejt dhe urgjentisht!”, deklaron ai.

Në fund, ai nënvizon se thelbësore është se masat u hoqën pa cenuar shtetësinë.

“E mira e gjithë kësaj është se masat ndëshkuese u hoqën, por sovraniteti i Kosovës mbeti i paprekur në çdo cep të territorit të Kosovës”, përfundon Gacaferi.

Haziri: Lajm i mirë për Kosovën

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri e vlerëson pozitivisht vendimin e BE-së, por thekson se ende nuk janë hequr të gjitha masat.

“Është lajm i mirë për Kosovën heqja e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja, edhe pse janë hequr vetëm 50 për qind e tyre dhe pritet që ato të hiqen tërësisht në muajin janar. Megjithatë, pasojat që i kanë shkaktuar Kosovës, sidomos vonesat në marrjen e fondeve për rritje ekonomike, kanë qenë të mëdha”, shprehet Haziri.

Ai thekson se masat ishin të padrejta dhe se standardi duhej të ishte i njëjtë edhe për Serbinë.

“Edhe pse ishin masa të padrejta, të njëjtat apo edhe më të ashpra do të duhej të ishin edhe për Serbinë”, thotë ai.

Sipas Hazirit, tani mbetet të shihet nëse BE do t’i heqë masat e mbetura pa kushte shtesë.

“Tani duhet të presim nëse pjesa tjetër e këtyre masave do të largohen pa ndonjë kushtëzim të radhës”, thekson ai.

Sa i përket meritave për këtë zhvillim, Haziri vlerëson rolin e presidentes Osmani.

“Sa i përket asaj se kush pati merita për largimin e kësaj pjese të masave, duhet vlerësuar angazhimi i presidentes Osmani në Bruksel, por edhe i Tiranës zyrtare dhe diplomacisë shqiptare. Përtej kësaj, mendoj se edhe Brukseli u bind më në fund se nuk kishte më asnjë arsye që Kosova të mbahej nën masa ndëshkuese”, vlerëson Haziri.

Ai shton se tranzicioni demokratik në komunat veriore ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim.

“Sidomos pas tranzicionit të qetë dhe demokratik të pushtetit lokal që ndodhi në katër komunat veriore, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”, thotë ai.

Në fund, Haziri shpreh pritjet e tij nga qeveria e re.

“Shpresoj që pjesa tjetër e këtyre masave ndaj Kosovës të hiqen pa kushte nga Brukseli dhe po ashtu shpresoj që qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të jetë më e përgjegjshme dhe më bashkëpunuese me BE-në, në mënyrë që procesi i integrimit të Kosovës të mos vështirësohet dhe të mos nisë sërish nga ‘pika zero’ ku ndodhet aktualisht”, përfundon Haziri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco