Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, po merr pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërsa prania e tij ka shkaktuar reagime të ashpra brenda këtij institucioni.
Dy anëtarë të KPK-së kanë lëshuar mbledhjen në shenjë proteste. Anëtari Visar Krasniqi propozoi shkarkimin e kryesuesit të Këshillit, Ardian Hajdaraj.
“Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe pozita e kryesuesit. Meqenëse jemi bërë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai kërkoi gjithashtu nga Agron Qalaj që ta lirojë sallën e mbledhjes, duke arsyetuar se është person i paautorizuar për të qenë i pranishëm. Sipas tij, qëndrimi i Qalajt në sallë po ua pamundëson anëtarëve vazhdimin e punës.
Pas kësaj, anëtarët Visar Krasniqi dhe Veton Shabani e braktisën mbledhjen.
Nga ana tjetër, Qalaj deklaroi se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio.
“I nderuar kryesues i Këshillit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, dua t’ju informoj që në fillim se, sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës. Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i inicuar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do të marr pjesë vetëm si anëtar ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm me cilësinë e anëtarit ex-officio”, tha Qalaj.
Agron Qalaj, pas shkarkimit të Besim Kelmendit, në mbledhjen e 20 nëntorit, u caktua ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkohë, mbledhja e sotme e Këshillit Prokurorial ka filluar me një orë vonesë krahasuar me orarin e paraparë.
Kujtojmë se Besim Kelmendi u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 20 nëntorit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit që ishin të pranishëm në atë takim, pasi mbledhja fillimisht ishte mbyllur për mungesë kuorumi, pas largimit të Kelmendit dhe katër anëtarëve të tjerë. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe është cilësuar si i kundërligjshëm. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në, duke kërkuar anulimin e tij.
© SYRI.net