Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se fabrika e re e municioneve në Jahoc të Gjakovës do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026.
Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së qeverisë të enjten, në Ditën e Forcës, ku u miratua vendimi për shpronësimin e pronave të paluajtshme të nevojshme për krijimin e zonës industriale të mbrojtjes.
Sipas Kurtit, miratimi i këtij vendimi hap rrugën për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Republikën e Kosovës, e cila do t’i shërbejë Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe do të rrisë kapacitetet e mbrojtjes së vendit.
Ai theksoi se kontrata për fabrikën tashmë është nënshkruar me prodhuesin turk MKE.
“Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se zona industriale nuk do të kufizohet vetëm te prodhimi i municioneve, por do të hapet edhe për investitorë të tjerë që synojnë prodhimin e pajisjeve ushtarake, përfshirë dronë ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”.
Kryeministri në detyrë gjithashtu nënvizoi rritjen e ndjeshme të investimeve në mbrojtje gjatë mandatit të tij, duke theksuar se buxheti i mbrojtjes është katërfishuar ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar.
Ai bëri të ditur se FSK-ja është pajisur me sisteme moderne armatimi nga shtete anëtare të NATO-s.
Kurti paralajmëroi se në mandatin e ardhshëm qeverisës, plani i investimeve në sektorin e mbrojtjes do të arrijë mbi 1 miliard euro.
“Duke rritur ushtrinë, e sigurojmë republikën. Duke rritur FSK-në, e forcojmë partneritetin me aleatët. Urime të gjithëve Dita e Forcës”, përfundoi ai.
© SYRI.net