Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka komentuar takimin e fundit që pati me kreun e Drenasit, Ramiz Lladrovci ditë më parë.
Ai në Klan Kosova tha se Lladrovci është pjesë e PDK-së.
“Gjendja është se ne bashkë do ta arrijmë rezultatin që Partia Demokratike e Kosovës ta formojë Qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës dhe ta udhëheq Qeverinë, unë jam i bindur se do ta maksimalizojmë votën sikurse në zgjedhjet e kaluara që kemi fituar rreth 20 mijë vota si Parti Demokratike e Kosovës në Drenas. E pres këtë rezultat ndoshta edhe me një rritje. Nuk është e lehtë me u arrit, por është e mundshme”.
“E kam thënë edhe publikisht se asnjëherë nuk ka pasur vendim që Lladrovci nuk është në PDK dhe asnjëherë nuk ka thënë që nuk është në PDK, Lladrovci nuk ka bërë iniciaitivë”, deklaroi mes tjerash ai.
Kreu i PDK-së theksoi më tutje se Drenasi është komuna e shtatë e subjektit politik me të cilin udhëheq ai.
“ Zgjedhjet lokale kanë përfunduar, Lladrovci është kryetar i Komunës së Drenasit dhe është komuna e shtatë e Partisë Demokratike të Kosovës”, shtoi Hamza.
Hamza ka folur edhe në lidhje me garën zgjedhore në Mitrovicë, duke thënë se ai s’ka qenë në garë, por se e kishte përgatitur një ekip të ri, siç e quajti ai, të jashtëzakonshëm.
Hamza tha se si parti kanë fituar numrin më të madh të votave që kur ekziston Partia Demokratike dhe garon në Mitrovicë.
“Unë s’kam qenë në garë në Mitrovicë, unë s’kam humb në Mitrovicë, kur unë kam qenë në garë në Mitrovicë, deri më tani jam i vetmi kryetar i cili jam zgjedhur me votë të drejtpërdrejt të qytetarëve në raundin e parë, pa balotazh, e kam kryer mandatin e plotë katërvjeçar, ka qenë ditur për të gjithë që unë nuk do të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës”.
“E kam përgatitur një ekip të re, të jashtëzakonshme, të cilët jam i bindur se do të japin kontribut në institucionet e Kosovës, në politikën e Kosovës me dekada, nuk kam qenë pjesë e garës për kryetar, ndërsa si parti, ne e kemi fituar numrin më të madh të votave që kur ekziston Partia Demokratike dhe garon në Mitrovicë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, për procesin zgjedhor atje, kreu i PDK-së duke përmendur edhe lëvizjen e veturave, tha se ka pasur veprime që e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin e tij.
“Mendoj që ka pasur veprime të cilat e kanë cënuar dhe e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor. Kanë ndikuar në rezultat zgjedhor. Nëse veç ka prezencë të institucioneve dhe involvim të institucioneve në një proces zgjedhor dhe në orët e natës, apo orët e hershme të mëngjesit, pastaj numër i madh i veturave që qarkullojnë gjithë natën 01, Mitrovica është e bukur është mikpritëse, por shumë vetura bash natën e zgjedhjeve, lë shumë hapësirë për të diskutuar”, u shpreh Hamza.
© SYRI.net